Liverpool mori tre pikët pas fitores 3-0 të mbrëmjes së kaluar në “Anfield” kundër Leicester City. Kampionët në fuqi janë ngjitur në krye të Premier League me 20 pikë, po aq sa numëron edhe Tottenham i Jose Mourinhos.
Dëmtime të shumta në kampin e “The Reds”, teksa i fundit që është ndalur është Naby Keita, mesfushori afrikan. Jurgen Klopp e lidh diçka të tillë me kalendarin e ngjeshur dhe nuk është përmbajtur në deklaratën e fundit.
“Sky dhe BT duhet të ulen e të bisedojnë. Nëse vazhdojmë të luajmë të mërkurën dhe të shtunën në orën 12:30, nuk besoj se do e përfundoj sezonin me më shumë se 11 lojtarë. Kur dëgjoj se flasin akoma për kontrata në këtë periudhë pandemiE, tërbohem keq.
Duhet të mbajmë maskat veshur dhe po përshtatemi. Gjithçka ka ndryshuar, e gjithë bota ka ndryshuar përveç akordeve me televizionet. Unë flas me qetësi në lidhje me kalendarin e ngjeshur, por më akuzojnë se po tentoj të favorizoj Liverpool.
Nuk flas vetëm për ekipin tim, flas për të gjithë futbollistët. Njerëzit thonë që duhet të bëjmë rotacion, dakord, por me çfarë lojtarësh ta bëjmë rotacionin? Kemi mundësi të bëjmë ndryshime në sulm, por në repartet e tjera kemi djem të rinj në stol“, deklaron Klopp. /abcnews.al