Klinikat e fertilitetit nën kontrollin e shtetit, përpjekje për të rritur numrin e lindjeve

schedule13:55 - 24 Dhjetor, 2019

schedule 13:55 - 24 Dhjetor, 2019

Gjashtë klinika private do të vendosen në duart e shtetit që nga data 1 janar 2020 si pjesë e planit të kryeministrit hungarez Viktor Orban  me objektivin për të luftuar rënien e numrit të lindjeve në vend.

Orban synon rritjen e numrit të lindjeve në Hungari pa inkurajuar emigracionin, mbi kundërshtimin e të cilit ka mbështetur platformën e tij politike dekadën e fundit. Qeveria gjithashtu ka miratuar përfitime në taksa, kredi dhe ndihma të tjera për familjet.

Ndërkohë trajtimet e infertilitetit si dhe ndërhyrjet për mundësinë e shtatzanisë do të jenë falas. Gjithashtu të gjitha testimet do të jenë falas për burrat dhe gratë si dhe nuk do të ketë më lista pritjesh për trajtimin e infertilitetit.

Por organizata të ndryshme në mbështetje të shëndetit të gruas ankohen se nuk është aspak e qartë se si do të funksionojnë dhe do të vihen në praktikë këto ndryshime.

Gjithashtu është e paqartë nëse këto rregulla do të vlejnë dhe për çiftet që nuk janë heteroseksuale. Si shumë vende të tjera europiane, Hungaria ka një popullsi të moshuar dhe rënie të numrit të lindjeve.

Rreth 25 për qind e çifteve hungareze të cilat duan të kenë fëmijë, kanë probleme me infertilitetin.

Në muajin tetor, propozimi për ndryshimin e ligjit në Francë, për të lejuar dhe femrat beqare që të trajtoheshin për infertilitet si dhe çiftet homoseksuale, shkaktoi protesta në vend. Aktualisht në Francë mund të kurohen për infertilitet vetëm çiftet heteroseksuale të cilat plotësojnë kritere shumë të ashpra.

Spanja ka ligjet më liberale në kontinent për sa i përket trajtimit të fertilitetit duke i lejuar të gjitha femrat mbi 18 vjeç që të jenë pjesë e tij. Kjo pavarësisht orientimit seksual apo statusit social. Gjermania dhe Italia kanë kritere shumë të ashpra, ndërsa Danimarka është nga vendet më liberale në këtë fushë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!