Këshilli i Lartë Gjyqësor zgjodhi në mbledhjen e sotme dy gjyqtarë me mbi 13 vite eksperiencë dhe që kishin kaluar Vettingun, si anëtarë të të përkohshëm në Gjykatën e Lartë.
Dy gjyqtarët që u zgjodhën më short janë Albana Boksi dhe Sokol Binaj nga gjykata e Apelit për Krime të Rënda. Këshilli i ka caktuar ata vetëm për të shqyrtuar 4 çështje të ekstradimit, të cilat janë në përfundim të afateve ligjore dhe rrezikonin lirimin e të arrestuarve për llogari të shteteve të tjera.
Aktualisht në Gjykatën e Lartë është anëtar vetëm Ardian Dvorani, pasi sot u shkarkuar nga Kolegji i Posaçëm i Apelit edhe kryetari i Gjykatës së Lartë Xhezair Zaganjori.
Dvorani tashmë ka edhe kompetencën e kryetarit deri në momentin që gjykata supreme e vendit do të plotësohet me të gjithë anëtarët. Këshilli i Lartë Gjyqësorë ka shtyrë për në vjeshtë pikëzimin e 21 kandidatëve jogjyqtarë të gjykatës së lartë për shkak të pushimeve të Gushtit.
Këshilli i Lartë Gjyqësor ka formuar trupën gjykuese për 4 çështje në Gjykatën e Lartë./ABC News Albania 24/7