“Klevis Balliu u “shkri” te protesta e Astirit”, Berisha: Basha e hoqi nga listat me urdhër të Ramës

schedule22:13 - 22 Tetor, 2021

schedule 22:13 - 22 Tetor, 2021

Ish-kryeministri Sali Berisha kritikoi Lulzim Bashën për listat e kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e 25 Prillit. Lideri historik i PD-së nga “Foltorja” e Beratit mori shembullin e Klevis Balliut, që sipas tij u “shkri” te protesta e “Astirit”, por në fund sipas tij Lulzim Basha e hoqi nga lista me urdhër të Edi Ramës.

420 ditë protestuan për të drejtën e tyre kundër mafies shtetërore disa qindra banorë të zonës së Unazës së Re në Tiranë, 420 ditë. Një deputet u “shkri” me ta ditë e natë dhe cili ishte rezultati miqtë e mi? Ata u lanë në baltë dhe deputeti u hoq nga listat. Po pse u hoq nga listat? Absolutisht me urdhër të Ramës pasi i çoi protestuesit afër Surrelit, kjo është e vërteta.

Një natë ai u priu protestuesve dhe i nxori karshi sarajeve të sulltanit. Por kjo e tronditi dhe hakmarrja e tij ra mbi deputetin tonë Klevis Balliu dhe ndaj qindra protestuesve që protestuan ditë e natë. Po kështu ndodhi edhe me Tetarin Kombëtar, nuk qe e zonja opozita të vërë gjoksin në asnjë protestë popullore” u shpreh Sali Berisha.

Propozimi i Partisë Demokratike për vettingun e politikanëve në ndryshimet kushtetuese është cilësuar nga Sali Berisha si një akt i turpshëm në këto 30 vite legjislacion. Ish kryetari i PD sqaroi se vettingu në politikë është i nevojshëm, por është një proces që duhet të bëhet brenda strukturave të Kuvendit dhe jo nga SPAK-u, që sipas tij drejtohet nga Rama.

Në foltoren e tij të 11, Berisha shprehu optimizmin për firmat e mbledhura në Kuvendin Kombëtar të PD duke tejkaluar kuorumin. Berisha njoftoi se javën e ardhshme do të shpallë edhe datën për mbledhjen e kuvendit Kombëtar. Ndërsa u shpreh se është i hapur të marrë çdo detyrë që ia lejon Kushtetuta, përfshirë edhe rikthimin si kryetar i PD. Foltorja e radhës e ish liderit demokrat do të vijojë të martën në Kavajë./ Abcnews.al