Golden Stejti i shpëtoi eleminimit në plej ofin e basketbollit amerikan falë kapitenit. Klej Tompson shënoi 35 pikë në fitoren vendimtare ndaj Hjustonit.
Jo më kot bën pjesë në katërshen magjike.
Klej Tompson është edhe kapiten i skuadrës së tij, por rrallë herë ndodh që të udhëheqë edhe si shënues, siç bëri mbrëmjen e fundit.
Falë 35 pikëve të shënuara prej tij, Golden Stejti shmangu eleminimin para kohe në gjysmëfinalen e plej ofit të NBA-së, duke mundur Hjustonin e duke barazuar rezultatin.
Përballë ekipit më të fortë të sezonit të rregullt, Tompson, u tregua më I fortë se Kevin Duranti apo Stefën Kërri, në sfidën që përfundoi 115-86.
Ishte një nga duelet më të çuditshme të vitit, me Hjustonin që udhëhoqi me 17 pikë epërsi në përfundim të periudhës së parë, pavarësisht se i mungonte lojtari i dytë më i mirë, organizatori Kris Pol.
Tompson jo vetëm realizoi 35 pikë, por edhe kapi 6 topa në tabela, dha dy asistë dhe i vodhi 4 topa kundërshtarëve.
Në krah tij, si në kohët e mëparshme, ishte Kërri me 29 pikë të shënuara, dhe dyshja e mbiquajtur “Vëllezërit Splash” arritën një fitore si dikur.
Edhe Kevin Durant nuk ishte tërësisht jashtë festës, por bëri më pak, ndryshe nga paraqitja e deritanishme në plej of.
Duranti realizoi 23 pikë, kapi 7 topa në tabela e shërbeu 4 pasime për kosh.
Një ndeshje të pazakontë luajti Drejmond Grin, që pati vetëm 4 pikë, por ishte i shkëlqyer me 10 topa në tabela, 9 asistë, 4 vjedhje topi e 5 bllokime gjuajtjesh.
A thua Golden Stejti e kaloi momentin e keq dhe tani mund të marrë titullin në Konferencën Perëndimore e të kalojë në finalen e NBA-së?
Nëse dëshiron të jetë për herë të katër aty, do të duhet të japë maksimumin në ndeshjen e 7-të, duke u gdhirë e marta, në fushën e Hjustonit./abcnews.al