Kleana Shuqja, e pesta në botërorin e shahut

schedule17:00 - 1 Maj, 2019

schedule 17:00 - 1 Maj, 2019

Shahistja shqiptare Kleana Shuqja doli e pesta në botërorin e shkollave në Turqi. Vajza 13-vjeçare synon sukseset pa kushtet më minimale që duhen për të pasur sukses.

Ky stadium i mrekullueshëm i mban disa mëkate. Arena e re kombëtare po ngrihet mbi ish-“Qemal Stafën” e vjetër dhe bashkë me të u shkatërrua infrastrukturë e sporteve të tjerë, mes tyre edhe salla e vetme e shahut në kryeqytet.

E tillë ishte salla përpara shkatërrimit, e modernizuar me punën e Federatës së atëhershme drejtuar nga presidenti Vasil Gjika. Sallë tjetër shahu Tirana nuk ka dhe shahistët punojnë ku të munden.

Kështu ndodh edhe me talenten Klean Shuqjen, e cila seancat stërvitore është e detyruar t’i zhvillojë në shtëpinë e saj. Një aneks i vogël është hapësira, ku 13-vjeçarja ushtrohet me trajnerin e saj Shkëlqim Çela, gjë që nuk e pengoi të dilte e pesta në Botërorin e shkollave në Turqi, me pikë të barabarta me vendin e tretë. Madje, ajo ishte në vend të parë, deri në ndeshjen e fundit.

“Në fakt unë doja të bëhesha kampione bote. Kisha një përshtypje që unë mund t’ia dilja. Kishte konkurrentë nga e gjithë bota dhe kuptohet që edhe ata ishin shumë të fortë”, tha Shuqja.

Në vazhdim, Kleana flet për planet e saj në turnetë ndërkombëtare dhe kombëtare këtë vit.

“Është një kampionat evropian për shkollat në Rumani. Shpresoj te shahu blic meqë kam marrë dikur shumë kupa të marr edhe kësaj radhe. Shpresoj të dal e para për moshën nën 18-vjeçare, ndërsa për femrat shpresoj të dal brenda treshes”, tha ajo.

Përveç infrastrukturës, problem për Kleanën është financa, e cila këta 5 vjet i është mundësuar nga klinika e doktor Kastriot Boriçit. Në Botërorin e shkollave në Turqi, një pjesë e financimit u dha nga Federata, por as kështu Kleana nuk shkoi në Antalia siç duhet.

“Klea në këtë garë ishte pa trajner. Ne pretendojmë të dalim kampionë bote në Shqipëri pa trajner. Sidomos sportet e gjata si shahu që janë 6 ture, 7 ture është e domosdoshme të kesh trajnerin mbi kokë”, tha Çela.

Trajneri Shkëlqim Çela, ish-kampion i vendit, bën një thirrje për autoritetet shtetërore dhe sportive.

“Klea është një nga lojtaret më potenciale të shahut shqiptar, por duhet një angazhim i madh nga instancat. Sidomos këto tre vitet e fundit është gati në çdo garë pretendonte për të dalë kampione bote, kampione shkollash. Salla për shahun është e domosdoshme”, tha Çela.

Rreziku është që, në kushte të tilla, Kleana të largohet nga Shqipëria sapo të mbushë 18 vjeç, ashtu siç kanë bërë pjesëtarët e ekipit të saj, Akademisë së Shahut, Bruna Tuzi, Ted Shpati apo Xhulio Shkurta./abcnews.al