KLD rikthen Shpresa Beçajn në sistem

schedule15:28 - 7 Maj, 2018

schedule 15:28 - 7 Maj, 2018

Pas pesë vitesh në pritje Këshilli i Lartë i Drejtësisë kthen në gjyqësor, ish-kryetaren e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj. Në mbledhjen e së hënës, KLD zbatoi vendimin e Apelit Administrativ, që detyronte emërimin e Beçajt në Apelin e Tiranës.

Këshilli i Lartë i Drejtësisë kthen në sistemin gjyqësor ish-kryetaren e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj.  Pas pesë vitesh pritje, gjytqtarja Beçaj do të ulet në bankën e gjyqtarëve në sallat e Gjykatës së Apelit Tiranë.

Vendimi për Beçajt u miratua në mbledhjen e kësaj të hëne të KLD-së.  Anëtarët e Këshillit dhanë “ok” për zbatimin e një vendimi të Gjykatës së Apelit Administrativ, i cili detyronte KLD-në të emëronte  Beçajn në Apelin e kryeqytetit.

Në këtë mënyrë merr fund përballja e nisur disa vite më parë mes KLD-së dhe ish-kryegjyqtares së Gjykatës së Lartë.

Shpresa Beçajt i përfundoi mandati në këtë gjykatë në mars të vitit 2013.

Kërkesa e saj e mëpasshme për emërim në Gjykatën e Apelit Tiranë nuk u mor parasysh, duke u bërë shkak, që ajo t’i drejtohej rrugës gjyqësore. Ajo paditi KLD-në në Gjykatën Administrative. Në këtë padi Beçaj kërkoi  detyrimin e KLD-se për ta rehabilituar në statusin e saj si gjyqtare karriere, duke shqyrtuar kërkesen e saj dhe të nxirrte aktin e emërimit në Apelin e Tiranës. Në të njëjtën padi Beçaj kërkoi dëmshpërblim në vlerën e 8 milionë lekëve.

Padia e Beçajt u pranua pjesërisht nga Apeli Administrativ në 5 prill 2017. Gjykata detyronte KLD-në për emërimin, si edhe jepte një formulë për dëshmpërblimin e saj financiar.

Në mbledhjen e të hënës KLD riktheu në detyrë edhe gjyqtaren e Elbasanit, Pajtime Fetahu.  Ajo ishte pezulluar nga detyra me një vendim të Krimeve të Rënda në shkurt të vitit 2017 pas dyshimeve të përfshirjes në një akt korruptiv. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!