Klaus Gjasula tani pa kokore: E çuditshme, doja të nisja një kapitull të ri!

schedule14:59 - 18 Gusht, 2021

schedule 14:59 - 18 Gusht, 2021

Nuk mbahet mend kur e kishte vendosur për herë të parë. Klaus Gjasula dilte në fushë me një kokore që prej vitit 2013, menjëherë pas një dëmtimi serioz në kokë që i la sidomos pasoja psikologjike.

Ai është njohur në Gjermani si “njeriu me helmetë” për 8 vjet me radhë, ndërsa luajti edhe në Bundesligë, e veshi fanellën e Paderborn dhe Hamburger SV.

Gjithsesi, erdhi dita që mesfushori i kombëtares të hidhte hapin e madh. Në ndeshjen që ekipi i tij i ri, Darmstadt, luajti ndaj Ingolstadt në Bundesligën e dytë, shqiptari 31-vjeçar doli pa kokore.

Ai ishte titullar dhe ndihmoi në fitoren e thellë 6-1, në një ndeshje që Darmstadt e dominoi plotësisht.

“Fillimisht m’u duk e çuditshme, – tha ai, – sidomos në 15 minutat e para, dhe në duelet e para me kokë, por pastaj pak nga pak nisa të mësohesha. Dëshiroja të nisja një kapitull të ri, ta filloja nga zero”.

Gjasula mori notën 2 në këtë ndeshje nga e përditshmja “Bild”, që është një vlerësim i mirë, ndonëse 3 shokë të tij arritën tek 1-shi.“Bild” vlerësoi se heqja e kokores nga shqiptari i solli fat skuadrës dhe se ai bëri detyrën.

Nuk dihet nëse futbollisti i kombëtares do ta provojë sërish Bundesligën, pasi Darmstadt është një skuadër modeste. Gjithsesi tani që pati guximin të luante pa kokore, mendon se mund të arrijë gjithçka, si dy vjet më parë kur shkëlqente në elitën gjermane me Paderborn./ abcnews.al