Klasikja gjermane, Dortmundi pret Bajernin

schedule16:58 - 10 Nëntor, 2018

schedule 16:58 - 10 Nëntor, 2018

Bundesliga do të ketë sot ndeshjen më të madhe të sezonit. Dortmundi pret Bajernin, dhe pas shumë vitesh e ndjen veten favorit ndaj kampionëve.

Çdo ligë ka klasiken e vet dhe Gjermania për fat nuk mbetet pa të. Këtë herë luhet Dortmund-Bajern, një sfidë e madhe edhe në një kampionat të dominuar thuajse plotësisht nga bavarezët, siç është Bundesliga. Madje, për herë të parë pas shumë viteve, Bajerni shkon në këtë përballje jo me statusin e favoritit.

Dortmundi është 4 pikë përpara në renditje dhe diferenca mund të shkojë në shtatë nëse vendasit fitojnë. Kampionët nuk ndihen të sigurt, si dikur, madje trajneri Niko Kovaç është vënë në dyshim. Për më tepër, Bajernit do t’i mungojnë 4 lojtarë si Tiago, Koman, Roben apo Toliso. Gjithsesi, kroati Kovaç ndihet i fortë.

“Dortmundi ka shumë pika të forta dhe shumë pak dobësi, – tha ai, – një skuadër e aftë në çdo sektor të fushës, dhe do të duhej një lupë për të gjetur mangesitë e saj. Gjithsesi, Dortmundi ende nuk është ndeshur me një rival si Bajerni, pra të shohim sesi do të shkojë. Duhet të bëjmë lojën tonë dhe të kërkojmë maksimumin. Nuk e kam problem presionin, ishte shumë më i madh tek Frankfurti kur po binim nga kategoria”.

Dortmundi i trajnerit Lysien Favre po rikujton periudhën e lavdishme të Jurgen Klopit. Sukseset në Bundesligë dhe Champions kanë qenë të shumta, me shumë gola të shënuar, dhe me mjaft lojtarë të rinj në përbërje. Mungesat këtë herë do të jenë vetëm dy, Shmelcer e Dialo. Zvicerani Favre mbetet gjithsesi me këmbë në tokë, pasi humbja në fushën e Atletikos tregoi se gjithçka mund të ndodhë.

“Ne e dimë se do të luajmë ndaj një skuadre shumë të madhe, Bajerni mbetet Bajern. Duhet të jemi shumë të zgjuar. Ende nuk mund të them sesi do të luaj, por duhet të japim maksimumin në sulm dhe në mbrojtje. Ne kemi përparuar shumë këta 3-4 muaj, por kemi ende shumë për të mësuar, sidomos lojtarët e rinj”.

Kërcënimi më i madh për Dortmundin do të jetë nga ish-sulmuesi i saj, Robert Levandovski, golshënuesi më i mirë i viteve të fundit në Bundesligë. Bajerni jepet favorit me kuotën 2.05, ndërsa fitorja e vendasve ka koeficientin 3.25./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!