Sot dashamirësit e futbollit shqiptar do të munden të shijojnë klasiken e famshme mes Vllaznisë dhe Tiranës, ndeshje e cila do të luhet në Shkodër, në stadiumin “Loro Boriçi”. Një duel i cili pritet të dhurojë emocione, aq më shumë që përballë janë skuadra të cilat aktualisht mbajnë dy vendet e para në renditjen e Superiores. Por kjo sfidë ka shërbyer edhe për të dhënë mesazhe dhe nisma shumë të veçanta nga klubet në fjalë.
Futbollistët e Vllaznisë dhe të Tiranës, një ditë para klasikes se futbollit janë takuar për një nismë të veçantë. Për një ditë ata i kanë shërbyer të moshuarve në Shtëpinë e Fondacionit Firdeus ku për të moshuarit me plot dashuri çdo gjë është falas. Një nismë e veçantë nga futbollistët e dy skuadrave, të cilat kanë dashur të japin një mesazh të rëndësishëm jashtë fushës së gjelbër.
Kështu ata kanë treguar që përtej futbollit, dinë të dhurojnë edhe humanizëm. Kujtojmë që të ardhurat nga ndeshja e shumëpritur Vllaznia-Tirana do të dhurohen për të ndihmuar në tragjedinë e tërmetit që la mijëra viktima në Turqi dhe Siri./ h.ll/abcnews.al