Gazetari Artan Hoxha ka folur për mediat pas dëshmisë që ka dhënë për ngjarjen e 21 Janarit të vitit 2011, ku mbetën të vrarë katër persona. Gazetari theksoi se dosja duhet të merret nën hetim nga SPAK. Sipas tij, kjo është mundësia e fundit për të zbardhur dhe hetuar këtë ngjarje të rëndë.
“Ajo që dua të kërkoj që këtë çështje ta marr në dorë SPAK. Kjo ka të bëjë me mundësitë që ka SPAK. Duke qenë se është një krim shtetëror dhe duhen pyetur nivelet më të larta të shtetit në atë kohë dhe sot.“, tha Artan Hoxha duke shtuar se duhet të merren në pyetje dhe Berisha e Basha.
“Në lidhje me këtë ngjarje nuk jam pyetur në atë kohë dhe nuk ka dhënë deklarime as Berisha, as Basha por dhe Rama. Kjo është mundësia e fundit për ta zbardhur dhe hetuar në mënyrë shteruese 21 Janarin. E para ka kaluar shumë kohë dhe e dyta kemi SPAK-un në dispozicion.
Koha nuk është më si ka qenë. Është momenti i duhur dhe nëse do të kalojë ky moment do të jetë vonë për t’u dhënë përgjigje familjarëve. Deklarova informacionin e disponuar, u dhashë informacion për atë që bëhet fjalë se si është disponuar. Jam pak i habitur që ky material nuk ka qenë në dosjen e hetimit.
Kështu që besoj se hetimi do të vazhdojë, do të ketë persona të tjerë që do të thirren.“, tha Hoxha duke komentuar dhe reagimin e Berishës.“Nuk më zhgënjeu në deklaratën që bëri sot, por më zhgënjeu te pjesa e imagjinatës, nuk është më aq kreativ sa çka qenë më para. Ta katandisësh këtë përgjim te Ardi Veliu, mendoj se ai është i shqetësuar nga fakti i ri që ka dalë”, shtoi ai./abcnews.al