Danimarka po jeton një ëndërr në këtë Europian sepse ka arritur të shkojë deri në gjysmëfinale, e ndihmuar edhe nga shorti i favorizuar. Duke parë edhe shortin, mbrojtësi i Milanit, Simon Kjaer tregon se objektivi ishin gjysmëfinalet.
Pas fitores 2-1 ndaj Çekisë ky objektiv u arrit dhe përballë është Anglia. Kjaer tregon se nuk shkon për shëtitje në “Wembley”dhe do kërkojë fitoren e madhe për të sfiduar në finale një mes Spanjës dhe Italisë.
“Objektivi ynë ishte të shkonim në gjysmëfinalet e ‘Wembley’, por do të gënjeja nëse do thosha se tani mjaftohemi me kaq. Për momentin mendojmë të rikuperohemi fizikisht sepse për katër ditë do të luajmë një ndeshje shumë të rëndësishme.
Luftuam me dhëmbë e thonj ndaj Çekisë. Mund të kishim bërë ndeshje më të mirë sepse u lamë mjaft terren kundërshtarëve, por për fat të mirë u mbrojtjëm mirë”, tha lideri i Danimarkës. /abcnews.al