Kishte mbushur makinën me klandestinë nga Jemeni dhe Palestina, arrestohet 22-vjeçari në Durrës

schedule09:14 - 2 Mars, 2022

schedule 09:14 - 2 Mars, 2022

Një 22-vjeçar është arrestuar nga policia në Durrës pasi po tentonte të trafikonte emigrantë të paligjshëm. Policia bën me dije se ai është ndaluar në zonën e Plepave në Durrës. Në momentin kur ai ka parë policinë, ka tentuar të largohet duke ia mbathur me vrap por është kapur pak metra më tutje.

Gjatë kontrollit në automjetin e tij janë gjetur 7 klandestinë nga Jemeni dhe Palestina të cilët do të transportoheshin drejt Shkodrës. Më pas ata do të kaloheshin në Mal të Zi me qëllim trafikimin në vendet e Bashkimit Europian.

Njoftimi i policisë

Finalizohet operacioni policor i koduar “Emigranti”.  Transportonte 7 emigrantë nga vendet e treta, me qëllim dhënien ndihmë për kalim të kufirit në mënyrë të paligjshme, kundrejt fitimit, kapet dhe vihet në pranga 22-vjeçari.

Po gjatë operacionit u kap dhe një person i shpallur në kërkim për llogari të DVP Korçë, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”.

Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Durrës, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative se një shtetas po transportonte emigrantë të paligjshëm drejt Shkodrës, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit për në Mal të Zi, me destinacion një nga vendet e BE-së, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Emigranti”.

Si rezultat i këtij operacioni, në aksin rrugor Plepa-Durrës, u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit R. M., 22 vjeç, banues në Tiranë. Në momentin e ndërhyrjes së shërbimeve të Policisë, ky shtetas ka braktisur mjetin dhe ka tentuar të largohet me vrap, por është kapur nga shërbimet e Policisë. Gjatë kontrollit në automjet u konstatuan 7 klandestinë nga Jemeni dhe Palestina, të cilët 22-vjeçari po i transportonte drejt Shkodrës, kundrejt fitimit.

Po gjatë operacionit, nga shërbimet e Policisë Rrugore, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e  Trafiqeve të Paligjshme u kap shtetasi F. Q., 28 vjeç, person i shpallur në kërkim nga DVP Korçë, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”.

Ky shtetas iu dorëzua shërbimeve të Policisë të DVP Korçë, për veprime të mëtejshme.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!