Kisha që u godit në Izrael nuk është ortodokse, por katolike/10 të plagosur nga raketat e Hezbollahut

schedule18:35 - 26 Dhjetor, 2023

schedule 18:35 - 26 Dhjetor, 2023

Nëntë ushtarë izraelitë dhe një civil u plagosën nga raketat e lëshuara nga Hezbollahu, njëra prej të cilave goditi një kishë në një fshat arab që ishte shkatërruar nga Izraeli në vitin 1951.

Bëhet fjalë për Panaginë e Ikrit, e cila sipas informacioneve të fundit, është një kishë katolike greke që nuk i përket Patriarkanës së Jeruzalemit dhe jo një kishe ortodokse greke, siç kishte njoftuar fillimisht ushtria izraelite.

Më parë, IDF njoftoi: “Hezbollahu sulmoi Kishën Ortodokse Greke të Zojës së Ikrit, në Izraelin verior. Një raketë antitank nga Libani goditi kishën, duke plagosur një civil. Ky sulm përbën jo vetëm një shkelje flagrante të Rezolutës 1701 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, por edhe një sulm ndaj lirisë së fesë”.

Sipas ushtrisë izraelite, nëntë nga ushtarët e saj u plagosën më pas, njëri prej tyre rëndë, nga një sulm tjetër i Hezbollahut teksa po jepnin ndihmë për civilin e plagosur.

Menjëherë pas kësaj, forcat e armatosura izraelite postuan një video ku shihet një raketë që hidhet nga një xhami në Libanin jugor, por nuk është e qartë nëse është raketa që goditi kishën ortodokse greke.

Rezoluta 1701, e miratuar për t’i dhënë fund luftës midis Izraelit dhe Hezbollahut në vitin 2006, thotë se vetëm Ushtria Libaneze dhe Forca e Përkohshme e OKB-së në Liban (UNIFIL) lejohen të vendosin forca midis kufirit dhe lumit Litani.

Hezbollahu mori sot përgjegjësinë për disa sulme ndaj objektivave ushtarake në veri të Izraelit, duke përfshirë një kazermë të goditur nga raketa të tipit Burkan./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!