Kinemaja verore në Gjirokastër, katër netë filma të huaj dhe vendas

schedule12:53 - 1 Gusht, 2018

schedule 12:53 - 1 Gusht, 2018

Në Gjirokastër prej katër netësh janë shfaqur e promovuar filma shqiptarë dhe të huaj. Por në këtë aktivitet që bëri për vete publikun vendas e turistë të ardhur nga vende të ndryshme, u dhanë edhe filma që nuk ishin shfaqur ndonjëherë më parë.

Për katër netë rresht, Gjirokastra ishte  qyteti i kinemasë botërore. Një oaz çlodhës kulturor për banorët dhe për turistët e huaj në këto ditë të nxehta vere. Aktiviteti promovoi disa nga filmat e fundit të kinemasë shqiptare të pashfaqur për publikun.

“Të Thyerit” (Broken), i regjisorit të njohur Edmond Budina apo filmi i regjisorit Fatmir Koçi “Elvisi kthehet në shtëpi”, i cili u zgjodh në festivalin e filmit Monteral në kategorinë A. Prezantuesja e njohur Silvana Braçe shkëlqeu në tapetin e kuq.

Emra të njohur të kinemasë shqiptare si regjisorë dhe aktorët e roleve të ndryshëm në filmat e rinj shqiptar ishin aty.

“Ne u përpoqëm të krijojmë një oaz nën siglën “Ekrani i madh na bashkon” dhe natyrisht u përgjodhën filmat nga kinemaja botërore dhe filmat premierë të kinemasë shqiptare”, u shpreh Skënder Jaçe, drejtor i “Open Cinema”.

Për regjisorin dhe aktorin Edmond Budina organizime të tilla janë të rëndësishme për promovimin e kinemasë shqiptare.

“Përveç rëndësisë së kinemasë së shkuar, ka rëndësi promovimi i kinemasë së fundit shqiptare. Sepse filmat tanë janë shumë të vështira që të lëvizin në të gjithë Shqipërinë sepse nuk kemi distribucion dhe një eveniment i këtij lloji ndihmon shumë promovimin e kinemasë shqiptare dhe e njeh publikun me vepra që nuk ka arritur t’i shohë në sallën e kinemasë”, tha ai.

Ekrani i madh në Gjirokastër ka qenë dhe një fillim i mbarë për restaurimin e kinemasë në këtë qytet me tradita. Drejtori i Kulturës në Bashkinë Gjirokastër, Ilir Lluri, tha se së shpejti do të rivihet në funksionim edhe kinemaja e dikurshme e qytetit.

“Rikthimi pas 30 vitesh ka një domethënie pasi ne i kthehemi një aktiviteti kulturor të braktisur, të harruar. I kthehemi artit të shtatë”, tha Lluri.

“Open Cinema” aktiviteti i mirëpritur nga publiku vendas dhe i huaj në Gjirokastër promovoi disa nga prodhimet më të mira të kinemasë shqiptare dhe asaj të huaj.

Nëpërmjet retrospektivave të ndryshme u bë homazh edhe për aktorët dhe regjisorët, shqiptarë e të huaj që janë ndarë nga jeta./abcnews.al