Kina shpërfill SHBA, vendos të blejë naftën iraniane

schedule18:39 - 20 Gusht, 2018

schedule 18:39 - 20 Gusht, 2018

E ndodhur nën presionin e tarifave amerikane, Kina ka vendosur të sfidojë sanksionet e Shteteve të Bashkuara duke deklaruar se do të vijojë blerjen e naftës iraniane, e sanksionuar nga Uashingtoni pas tërheqjes nga marrëveshja bërthamore.

Kina ka vendosur të sfidojë sanksionet amerikane ndaj Iranit, duke bërë me dije se do të vazhdojë të blejë naftën e vendit islamik. Në këtë mënyrë, Kina do të shërbejë si një “jelek shpëtimi” për Teheranin, në një kohë kur kompanitë europiane, si francezia “Total”, po largohen nga frika e masave të Uashingtonit. Vendi aziatik, që ka ndërprerë importin e naftës amerikane për shkak të luftës tregtare, ka deklaruar se nuk i njeh sanksionet e njëanshme dhe se do të mbrojë marrrëdhëniet tregtare me aleatin e tij.

Agjencia e lajmeve “Reuters” raporton se blerësit kinezë të naftës iraniane u kanë hapur dyert cisternave të kompanisë shtetërore të naftës në Teheran. Një lëvizje kjo, që tregon se Kina, konsumatori kryesor i naftës iraniane, dëshiron të vazhdojë blerjen e saj pavarësisht sanksioneve, që u rivendosën pasi Shtetet e Bashkuara u tërhoqën nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015. Irani, vendi i tretë për prodhimin e naftës në kartelin OPEC, mbështetet tek shitja e naftës tek Kina, Japonia, Korea e Jugut, India dhe tek disa vende të BE-së për të siguruar pjesën dërrmuese të buxhetit të tij dhe për të mbajtur gjallë ekonominë. Shtetet e Bashkuara u kanë kërkuar klientëve të Republikës Islamike që të ndërpresin bashkëpunimin tregtar dhe disa prej tyre i kanë shkëputur lidhjet./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!