Kina reagon ashpër ndaj H&M pas komenteve për provincën Xinjiang

schedule15:54 - 25 Mars, 2021

schedule 15:54 - 25 Mars, 2021

Qytetarë të thjeshtë dhe blerës përmes internetit në Kinë reaguan me kritika dhe bënë thirrje të enjten për bojkotimin e kompanisë suedeze H&M dhe të disa firmave të tjera të veshjeve. Reagimi pasoi daljen në dritë të një deklarate të vjetër të H&M-it mbi kushtet e punëtorëve në provincën Xinjiang.

Qeveria kineze ishte nxitësja e një furtune në median sociale me thirrjet për të mos u lejuar firmave të huaja të njollosin emrin e Kinës. Ky reagim u nxit nga zbulimi i një deklarate që kishte bërë vjet kompania suedeze H&M ku ngrinte akuza se në provincën Xinjiang po përdorej puna e detyruar. Kompania shton në deklaratë se nuk kishte kontrata biznesi në këtë zonë. Nuk është e qartë përse deklarata e vjetshme u soll në vëmendje në këtë moment.

Përdoruesit e medias sociale reaguan duke kërkuar dhe nxjerrë në pah edhe komente të kompanive të tjera, ndër to firma amerikane Nike dhe gjermania Adidas, të cilat kishin shprehur në të kaluarën shqetësim lidhur me njoftimet për përdorimin e punës së detyruar në Xinjiang.

Në Pekin, disa banorë thonë se do të bojkotojnë produktet e këtyre markave:

“Derisa bëjnë para në Kinë, një pjesë e parave duhet të kthehet në Kinë. Nëse nuk blejnë pambuk nga provinca Xinjiang, është njëlloj sikur të përjashtojnë Kinën. Atëherë Kina duhet t’i përjashtojë këto firma. Është normale, dhëmb për dhëmb,” thotë 41-vjeçari Zhang.

Ai përsërit një akuzë të autoriteteve të Pekinit se këto firma luajnë lojë politike në Kinë:

“Kjo deklaratë e kompanisë H&M më duket si reagim nga shteti. Nëse kanë probleme me cilësinë e pambukut, s’ka problem. Por nuk e kanë te cilësia. Janë arrogantë. Pekini duhet t’i nxjerrë fare nga tregu kinez, mendoj unë,” thotë 41-vjeçari Zhang.

Në konferencën e rregullt për shtyp në Ministrinë e Jashtme, zëdhënësja Hua Chunying iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve duke përdorur një fotografi të vjetër ku shiheshin afrikano-amerikanë duke mbledhur pambuk, me akuzën se në të kaluarën Shtetet e Bashkuara përdornin punën e skllevërve. Më pas ajo përdori për krahasim një fotografi që tha se tregonte punën në fushat me pambuk në Xinjiang.

“Disa akuza për punë të detyruar në Xinjiang janë gënjeshtra keqdashëse nga forca anti-kineze, të cilat kanë për qëllim të njollosin imazhin e Kinës, të dëmtojnë stabilitetin në Xinjiang si dhe të pengojnë zhvillimin e Kinës,” tha zëdhënësja.

Kompania H&M reagoi të mërkurën duke u shprehur se i respekton konsumatorët kineze dhe se është e përkushtuar për investime dhe zhvillim afatgjatë në këtë vend. Por të enjten në mëngjes, kompania nuk ekzistonte më në hartat dixhitale për gjetjen e dyqaneve. Faqja e saj në platformën dixhitale Alibaba nuk hapej dot./VOA