Kompania kineze Ganfeng Lithium njoftoi se nënshkroi një marrëveshje me prodhuesin kryesor turk të baterive klasike Jigit Aku për të investuar 500 milionë dollarë në një objekt të përbashkët për prodhimin e baterive litium për makinat elektrike.
Sipas një deklarate nga bursa kineze, kompanitë duan të ndërtojnë një fabrikë baterish në Turqi me një kapacitet prodhimi vjetor prej pesë gigavat-orë (GWh) energji, raporton Reuters.
Projekti do të fokusohet në zhvillimin dhe prodhimin e teknologjive aktuale dhe të ardhshme të baterive litium.
Në njoftimin zyrtar të kompanisë Ganfeng Lithium të cituar nga mediat ndërkombëtare, ndër të tjera përmenden bateritë për përdorim detar dhe aviacioni.
Jigit Aku prodhon kryesisht bateri me acid plumbi, por në faqen e saj të internetit reklamon gjithashtu bateritë e litiumit për t’u përdorur në automjete më të vogla industriale si pirunët.
Kompania turke është themeluar në vitin 1976 dhe rrjeti i saj i prodhimit përfshin katër lokacione fabrikash dhe aksionet e saj janë të listuara në bursën e Stambollit.
Ganfeng është një nga prodhuesit më të mëdhenj kinezë të produkteve të ndryshme të litiumit që përdoren në automjetet elektrike, aviacionin dhe produktet farmaceutike, por prej disa vitesh ajo po investon gjithnjë e më shumë në prodhimin e baterive të veta.
Kompania kineze njoftoi në janar 2023 se do të investojë 15 miliardë juanë kinezë në dy fabrika të reja baterish për të rritur kapacitetin e saj të prodhimit me 34 GWh në rreth 100 GWh në vit./abcnews.al