Kina ka paralajmëruar SHBA-në se do të “vuajë të gjitha pasojat” nëse përshkallëzon përplasjen rreth balonës kineze të rrëzuar nga ushtria amerikane.
Në mënyrë të veçantë, Ministria e Jashtme thotë në një deklaratë se Pekini do të vazhdojë deri në fund nëse SHBA-ja këmbëngul në shfrytëzimin e çështjes.
Më 4 shkurt, një avion luftarak amerikan rrëzoi një objekt që hyri në qiellin e Amerikës së Veriut, Uashingtoni e quan atë një balonë spiune kineze. Pekini pretendon se ishte një balonë meteorologjike që humbi rrugën.
Njoftimi i Kinës pasoi pas një takimi midis kryediplomatit Wang Yi dhe Sekretarit të Shtetit të SHBA Anthony Blinken në margjinat e Konferencës së Sigurisë në Mynih.
Reagimi i SHBA ndaj balonës ishte histerik
Dje, kryediplomati kinez, Wang Yi, tha se trajtimi i incidentit të balonës nga SHBA ishte një veprim “i pabesueshëm”, “histerik” dhe “absurd” që shkel normat ndërkombëtare.
“Ka kaq shumë balona në mbarë botën, do t’i rrëzojnë të gjitha Shtetet e Bashkuara?” tha në Konferencën e Sigurisë në Mynih Wang, drejtor i Zyrës së Komisionit të Punëve të Jashtme të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Kineze.
Për Wang, rrëzimi i balonës përbën 100% abuzim të përdorimit të forcës, është një shkelje e praktikës zakonore ndërkombëtare, veçanërisht të Traktatit të Çikagos për Aviacionin Civil të vitit 1944.
Ne kërkojmë nga SHBA që të mos bëjnë gjëra të tilla absurde
“Ne i bëjmë thirrje Shteteve të Bashkuara të mos bëjnë gjëra të tilla absurde vetëm për të larguar vëmendjen nga problemet e tyre të brendshme,” shtoi ai.
“Ne i kemi kërkuar Shteteve të Bashkuara që ta trajtojnë këtë situatë në një mënyrë të qetë dhe profesionale”, vazhdoi ai. “Për fat të keq, Shtetet e Bashkuara nuk reflektojnë mbi këto fakte dhe përdorin avionë luftarakë për të rrëzuar një balonë me raketat e tyre, që për mendimin tim është absurde dhe histerike”.
Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken po shqyrton për një takim me Wang në margjinat e Konferencës së Mynihut, por deri më tani nuk ka asnjë konfirmim se një takim i tillë do të ndodhë.
/abcnews.al