Kina filloi herët të enjten stërvitjet ushtarake rreth Tajvanit që do të zgjasin deri të premten, vetëm disa ditë pasi presidenti i ri i Tajvanit Lai Ching-te mori detyrën dhe i bëri thirrje Pekinit që të ndalojë kërcënimet.
Komanda e Ushtrisë Popullore Çlirimtare të Kinës njoftoi se kishte filluar stërvitjet e përbashkëta ushtarake me përfshirjen e ushtrisë, marinës, forcave ajrore dhe raketore, në zonat përreth Tajvanit.
Stërvitjet po zhvillohen në ngushticën e Tajvanit, në veri, jug dhe në lindje të Tajvanit, si dhe në zonat përreth ishujve Kinmen, Matsu, Wuqiu dhe Dongyin të kontrolluara nga Tajvani, tha komanda në një deklaratë.
Deri në publikimin e lajmit nuk ka patur komente nga qeveria tajvaneze. Stërvitjet do të përqendrohen tek patrullimet e përbashkëta të gatishmërisë luftarake detare dhe ajrore, sulmet precize mbi objektivat kyç dhe operacione të integruara brenda dhe jashtë zinxhirit të ishullit për të testuar “aftësitë e përbashkëta reale luftarake” të forcave, tha ushtria kineze.