Kina ndërton portin premtues në Peru, por me çfarë çmimi?

schedule19:07 - 28 Maj, 2024

schedule 19:07 - 28 Maj, 2024

Porti Chancay i ndërtuar nga kinezët në Peru, mund të bëhet pika kryesore e kalimit të mallrave nga Azia. Por, siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Adriana Nunez Rabascall, banorët vendas dhe analistët e sigurisë thonë se të mirat ekonomike vijnë me një çmim.

Në vetëm pak vite, gjiri detar është bërë i panjohur për Miriam Arcen-in.

“Ky nuk është më gji. Është mbuluar i tëri. Është i gjymtuar”, tregon ajo.

Zonja Arce ka jetuar pranë portit Chancay gjatë gjithë jetës së saj. Ajo thotë se ndërtimi i portit po dëmton mjedisin dhe 20 mijë familjet që jetojnë aty pranë, pasi mbetjet nga ndërtimi i portit po përfundojnë në oqean.

“Peshkimi vazhdon të zhduket. Vendi ku po ndërtohet porti është vendi ku riprodhohen peshqit”, thotë zonja Arce.

Ndërtimi i këtij porti masiv në qytetin Chancay, rreth 70 kilometra në veri të kryeqytetit të Perusë, Lima, pritet të mbarojë brenda fundit të këtij viti. Objektivi është që përmes tij të kalojnë mallrat nga Azia drejt Amerikës së Jugut.

Firma kineze Cosco Shipping zotëron 60% të portit me vlerë 3.5 miliardë dollarë. Pjesa tjetër është në pronësi të një kompanie peruane.

“Do të konsolidojë rolin kryesues të Kinës për tregtinë në Amerikën Latine dhe do të forcojë marrëdhënien ekzistuese tregtare. Kina ia ka kaluar Shteteve të Bashkuara që në vitin 2015 si partnere kryesore e Perusë për tregtinë”, thotë ekonomisti Pedro Maldonado.

Interesimi i Kinës për Perunë buron kryesisht nga mineralet dhe pasuritë e tjera natyrore të këtij vendi.

“Nga 60 miliardë dollarë mallra që eksportohen drejt vendeve të tjera, 20 miliardë shkojnë në Kinë. Shumica e eksporteve janë minerale, si bakri”, thotë zoti Maldonado.

Firma kineze Cosco Shipping thotë se porti do të ulë kostot si dhe kohën për tranzitin e mallrave nga 30 në 20 ditë.

Në një intervistë në janar, zëdhënësi i kompanisë, Mario de las Casas, tha se porti mund të përballojë deri në 1 milion anije transporti në vit.

“Peruja është vend kryesues për prodhimet bujqësore, por nuk ka kapacitetet për t’i dërguar në Azi. Shpresojmë se deri në fund të vitit 2024, ky port do ta ofrojë këtë mundësi”, tha zoti de las Casas.

Kina mund të ketë edhe ambicie të tjera me këtë port të ri, thotë profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare Euclides Tapia.

“Nuk ka asnjë dyshim, asnjë diskutim, që ky port do të përmbushë një funksion ushtarak, pasi marina kineze është e përfshirë në ndërtimin e portit”, thotë profesor Tapia.

Ai thotë se Kina do të përpiqet gjithashtu të konsolidojë influencën e saj në Amerikën Latine duke investuar në linjat kryesore tregtare.

“Do të krijohet një lidhje shumë e ngushtë mes Kinës dhe Amerikës Latine, siç po veprojnë në kontinentet e tjera, si Afrika apo Azia Juglindore. Është i njëjti skenar: kontroll ekonomik dhe influencë ushtarake”, thotë profesor Tapia.

Firma kineze Cosco Shipping nuk iu përgjigj kërkesave të përsëritura për koment të Zërit të Amerikës.

Zyrtarët peruanë i dhanë firmës kineze Cosco të drejtat ekskluzive për operimin e këtij porti të ardhshëm gjigand. Më pas, ata thanë se nuk e kanë autoritetin ligjor për t’ia dhënë këtë ekskluzivitet kompanisë kineze. Ndërsa mosmarrëveshja vazhdon, po ashtu ka vazhduar edhe ndërtimi… dhe banorët shohin panoramën që ndryshon./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!