Kina importoi më shumë naftë ruse në nëntor

schedule12:24 - 20 Dhjetor, 2023

schedule 12:24 - 20 Dhjetor, 2023

Rusia ishte furnizuesi kryesor i Kinës me naftë në nëntor, pavarësisht rritjes së çmimit të lëndës djegëse të papërpunuar, tregojnë të dhënat, ndërsa Arabia Saudite vazhdon uljen e furnizimeve.

Të dhënat nga Administrata e Përgjithshme e Doganave tregojnë se importet e Kinës nga Rusia, përfshirë furnizimet përmes tubacioneve dhe dërgesave me anije cisternë, arritën në 2.19 milionë fuçi në ditë.

Dërgesat ruse u rritën 9% nga 2.01 milionë fuçi në ditë gjatë muajit tetor, krahasuar me rëniet në shtator dhe tetor dhe shënuan një rritje me 15.2% nga një vit më parë.

Importi i naftës së papërpunuar ruse për 11 muajt e parë të vitit 2023 u rrit me 22.2%, tregojnë të dhënat.

Eksportet e naftës së papërpunuar nga Arabia Saudite arritën në 1.61 milionë fuçi në ditë, rreth 0.2% më pak se një vit më parë. Nga korriku në nëntor, Arabia Saudite i rriti çmimet për rafineritë aziatike.

Tendenca bëri që disa rafineri kineze të pakësojnë importet saudite dhe të blejnë naftë më të lirë në tregje të tjera.

Shkurtimet e njëanshme të prodhimit të naftës nga Riadi, me rreth 1 milion fuçi në ditë, do të vazhdojnë deri në fund të vitit. Moska gjithashtu është zotuar të zgjasë shkurtimin e eksportit me rreth 300,000 fuçi në ditë deri në fund të vitit.

Këto shkurtime u zgjeruan dhe u thelluan edhe më tej gjatë takimit të Organizatës së Vendeve Eksportuese të Naftës dhe aleatëve të saj (OPEC+) në muajin nëntor.

Arabia Saudite njoftoi se shkurtimet e prodhimit të naftës së saj do të vazhdonin edhe gjatë tremujorit të parë të vitit të ardhshëm, ndërsa Rusia tha se shkurtimi i prodhimit do të shkonte në 500,000 fuçi në ditë.

Nafta e papërpunuar ruse, ndaj së cilës Perëndimi ka vënë sanksione, vazhdoi të tërheqë blerës në nëntor ndërsa Kina konkurron me Indinë. Shtatë vendet më të industrializuara po përpiqen të ruajnë efektshmërinë e kufirit të naftës ruse me 60 dollarë për fuçi ndërsa shumëfishohen alternativat e transportit dhe sigurimeve.

Rafineritë kineze përdorin tregtarë ndërmjetës për transportin dhe sigurimin e naftës së papërpunuar ruse për të anashkaluar sanksionet perëndimore për luftën në Ukrainë.

Pavarësisht tensioneve gjeopolitike midis Pekinit dhe Uashingtonit, rritja e prodhimit të naftës së papërpunuar amerikane do të thotë se Kina vazhdon të importojë sasi më të larta të naftës amerikane. Kina importoi në nëntor 1.06 milion ton naftë të papërpunuar amerikane, një rritje prej 82.4% krahasuar me një vit më parë./voa

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!