Kina, drejt një tjetër pandemie? Shfaqet HMPV, virus që transmetohet përmes frymëmarrjes

schedule15:30 - 5 Janar, 2025

schedule 15:30 - 5 Janar, 2025

Spitalet në Kinë janë mbipopulluar pasi vendi po sheh një rritje të një virusi që shkakton probleme me frymëmarrjen.

Autoritetet kanë marrë masa urgjente, teksa ka shqetësim të madh për përhapje të mëtejshme.

Kjo ndodh pesë vjet pasi gjithë bota u alarmua për shfaqjen e një virusi të ri ne Kine  i quajtur më vonë Covid-19, që rezultoi më pas në një pandemi të globale me të paktën 7 milionë vdekje të raportuara.

Virusi, i identifikuar si metapneumovirus njerëzor (HMPV), nuk është i panjohur për shkencën, por javët e fundit rastet janë rritur në provincat veriore të Kinës dhe veçanërisht te fëmijët.

Fotot dhe videot e njerëzve që mbanin maska ​​në spitalet në Kinë u shfaqën në platformat e mediave sociale dhe raportet lokale thanë se skenat e përhapjes së virusit HMPV ishin të ngjashme me shpërthimin fillestar të Covid.

Megjithatë, Pekini i ka minimizuar zhvillimet si një dukuri vjetore dimërore.

Zëdhënësi i ministrisë së jashtme të Kinës, Mao Ning tha se infeksionet e frymëmarrjes priren të arrijnë kulmin gjatë sezonit të dimrit.

Metapneumovirusi ose HMPV, është një virus respirator që shkakton simptoma të ngjashme me ftohjen e zakonshme dhe gripin. Ndërsa sëmundja është zakonisht e lehtë, ajo mund të çojë në komplikime të rënda si pneumonia, veçanërisht tek foshnjat, të moshuarit dhe ata me sistem imunitar të dobësuar.

I identifikuar për herë të parë në vitin 2001, HMPV është një virus ARN me një zinxhir që përhapet përmes pikave të frymëmarrjes ose kontaktit me sipërfaqet e kontaminuara.

Simptomat përfshijnë kollën, ethe, kongjestion nazal dhe lodhje, me një periudhë inkubacioni prej tre deri në gjashtë ditë. Ndryshe nga Covid-19, nuk ka vaksinë apo trajtim specifik antiviral për HMPV; trajtimi i vetëm përfshin kryesisht menaxhimin e simptomave.

Organizata Botërore e Shëndetësisë nuk e ka cilësuar situatën si një emergjencë globale shëndetësore, por rritja e rasteve ka shtyrë autoritetet të forcojnë sistemet e monitorimit.

Hong Kongu ka raportuar disa raste të HMPV. Vendet fqinje si Kamboxhia dhe Tajvani po monitorojnë nga afër situatën. Departamenti i Kontrollit të Sëmundjeve të Transmetueshme të Kamboxhias ka lëshuar paralajmërime për virusin, duke vënë në dukje ngjashmërinë e tij me Covid-19 dhe gripin./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!