Kina dhe Rusia fillojnë patrullimin e përbashkët ajror, mes tensioneve në Azi-Paqësor  

schedule10:20 - 6 Qershor, 2023

schedule 10:20 - 6 Qershor, 2023

Kina dhe Rusia kanë filluar patrullimin e përbashkët ajror mbi Detin e Japonisë dhe  Detin e Kinës Lindore për të gjashtën herë që nga viti 2019, duke u cilësuar si një mesazh për Perëndimin.

Patrullimi përkon me një rritje të manovrave dhe stërvitjeve ushtarake nga SHBA dhe aleatët e saj në rajonin Azi-Paqësor. Patrullat janë pjesë e planit vjetor të bashkëpunimit të dy ushtrive, tha në një deklaratë sot Ministria e Mbrojtjes e Kinës.

Gjatë patrullimit të fundit ajror të përbashkët Kinë – Rusi në shtator, Koreja e Jugut përgjoi avionë luftarakë të huaj ndërsa dy avionë luftarakë kinezë dhe gjashtë rusë hynë në Zonën e Identifikimit të Mbrojtjes Ajrore Koreane (KADIZ).

Japonia dërgoi gjithashtu avionë luftarakë pasi bombarduesit kinezë fluturuan nga Deti i Kinës Lindore në Detin e Japonisë, ku iu bashkuan dy dronë rusë. Zona e mbrojtjes ajrore është një zonë ku vendet kërkojnë që avionët e huaj të marrin masa të veçanta për identifikimin e tyre.

Gjatë patrullimeve në maj 2022, avionët luftarakë kinezë dhe rusë iu afruan hapësirës ajrore japoneze ndërsa Tokio po mbante një samit të liderëve Quad (aleanca jozyrtare katërpalëshe e SHBA, Australisë, Japonisë dhe Indisë).

Aktiviteti ushtarak në rritje i Kinës në rajon ka ngritur shqetësime midis fqinjëve të saj, si dhe aleatëve të tyre perëndimorë si SHBA. Duke filluar nga java e kaluar, rojet bregdetare të SHBA-së, Japonisë dhe Filipineve zhvilluan stërvitjen e tyre të parë detare në Detin e Kinës Jugore.

Gjatë fundjavës, një luftanije kineze u afrua 137 metra nga një luftanije amerikane, ndërsa marina amerikane dhe kanadeze kryen një stërvitje të përbashkët në zonën e ndjeshme të ngushticës së Tajvanit, duke shkaktuar protesta për sigurinë e manovrave.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!