Bayern Munchen kreu një investim fantastik në korrikun e vitit 2015. Bavarezët paguan 8.5 milion euro në arkat e Stuttgart dhe siguruan shërbimet e Joshua Kimmich. 25-vjeçari është përmirësuar shumë që nga ajo kohë dhe sot është ndër pikat më të forta të kampionëve të Gjermanisë.
Ai luan në krahun e djathtë, por edhe në qendër të mesfushës. Talentin, karakterin dhe inteligjencën taktike e ka me bollëk, teksa është frymëzuar nga një emër i madh gjerman. Kimmish tregohet i sinqertë në një prononcim për sajtin e klubit, duke pranuar se ka tentuar të kopjojë Bastian Schweinsteiger.
“Kur isha më i ri, provoja të kopjoja gjërat që bënte Schweinsteiger. Bastian i ka drejtuar gjithmonë shokët e skuadrës dhe ka sjellë mentalitetin e tij në grup. Kjo ishte shumë e dukshme në finalen e Kupës së Botës të Gjermanisë (2014 kundër Argjentinës).
Mendoj se mentaliteti i një lojtari duhet të jetë gjithnjë i dukshëm në fushë. Skuadra është shumë e rëndësishme për mua, duhet të shoh fushën dhe të dalloj se çfarë po ndodh. Dua të ndihmoj shokët gjithmonë, ky është objektivi im”, përfundon Kimmich. /abcnews.al