Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, është zotuar se do të zbatojë politikën “më të ashpër” kundër Shteteve të Bashkuara. Këto deklarata vijnë më pak se një muaj para se Donald Trump të marrë postin e presidentit të SHBA-së.
Rikthimi i Trumpit në Shtëpinë e Bardhë rrit mundësitë për diplomaci të profilit të lartë me Korenë e Veriut. Gjatë mandatit të tij të parë presidencial, Trump ishte takuar tri herë me Kimin për bisedime mbi programin bërthamor të Veriut.
Shumë ekspertë, megjithatë, kanë thënë se një rinisje e shpejt e takimeve mes Trumpit dhe Kimit ka pak gjasa të ndodhë, pasi Trumpi fillimisht do të fokusohet në konfliktet në Ukrainë dhe Lindje të Mesme. Mbështetja e Koresë së Veriut për luftën e Rusisë kundër Ukrainës po ashtu përbën një sfidë në përpjekjet për të ringjallur diplomacinë, thanë ekspertët.
Gjatë një takimi pesëditor të partisë në pushtet, Partia e Punëtorëve, Kim e quajti SHBA-në “shtetin më reaksionar që e konsideron antikomunizmin si politikën të tij të pandryshueshme shtetërore”. Kim tha se partneriteti i sigurisë mes SHBA-së, Koresë së Jugut dhe Japonisë po zgjerohet në një “bllok ushtarak bërthamor për agresion”.
“Ky realitet tregon qartazi se në cilin drejtim duhet të shkojmë, çfarë duhet të bëjmë dhe si duhet të veprojmë”, tha Kim, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve në Korenë e Veriut, KCNA.