Ambasadorja e SHBA në Tiranë Yuri Kim ka zhvilluar një takim me ministren e Ekonomisë dhe Financave Delina Ibrahimaj. Në mesazhin e saj Kim thotë se SHBA nxit forcimin e masave kundër pastrimit të parave, mbështet fiskalizimin dhe digjitalizimin e procedurave për të përmirësuar taksimin, transparencën dhe llogaridhënien.
“U takova dje me ministren e re të Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj për ta uruar atë për emërimin. SHBA nxit forcimin e masave kundër pastrimit të parave, mbështet fiskalizimin dhe digjitalizimin e procedurave për të përmirësuar taksimin, transparencën dhe llogaridhënien”, shkruan Kim.
Kim thekson në postimin e saj se gjatë takimit i shprehu mbështetjen ministres Ibrahimaj në lidhje me procesin e fiskalizimit dhe dixhitalizimin e procedurave për të përmirësuar taksimin.
“Mbështesim fiskalizimin dhe dixhitalizimin e procedurave për të përmirësuar taksimin, transparencën dhe llogaridhënien. Rregulla të qarta, procese efikase dhe gjykata të pastra do të tërheqin investimet amerikane, si dhe mbrojnë nga aktorët e këqij. Kjo është lidhja mes demokracisë, mbrojtjes dhe biznesit”, nënvizon ambasadorja.
Thirrja për forcim të masave për pastrimin e parave nga ambasadorja vjen në një kohë kur shumë vende mes tyre edhe Shqipëria janë vënë në lëvizje pas publikimit të skandalit “Pandora Papers që zbuloi se 330 zyrtarë publikë në të gjithë botën kanë lidhje me llogaritë offshore.
Mes qindra politikanëve të niveleve të larta në të gjithë botën, i përfshirë është edhe një nga Shqipëria, identiteti i të cilit ende nuk është zbuluar. Gjithashtu të përfshira janë edhe 13 kompani që kanë pas tyre qytetarë shqiptarë. “Po verifikojmë cfarë është publikuar dhe në përfundim, do të vlerësojmë nëse janë kushtet për të filluar një procedim penal” tha kreu i SPAK Arben Kraja për “ABC LIVE”, duke konfirmuar nisjen e verifikimeve për shqiptarët e përfshirë në skandal./be.k/Abcnews.al