Kim Mehmeti: Në Shqipëri vota vlen më pak se një dele

schedule23:38 - 12 Tetor, 2022

schedule 23:38 - 12 Tetor, 2022

Nga Refleksione

Shkrimtari i njohur shqiptar Kim Mehmeti, ishte këtë të mërkurë në qendër të emisionit “Refleksione” në Abc me autor Agim Baçin.

Duke folur për fëmijërinë e tij Mehmeti tha se ajo ishte shumë më çiltër s ekjo e sotmja, pasi në atë kohë i kushtohej më shumë rëndësi bukurisë së trurit se asaj të trupit.

Unë i takoj kohës kur ne fëmijët shumë intesnivisht e ndienim familjen. Në atë kohë ne fëmijët ishim një popull jo institucional, dhe për ne familja ishte i vetmi institucion, ishte një lidhje e fortë që ruajti shqiptarinë tek ne.  Sot jetojmë një kohë ku vetëm e dukshmja vlen tek njeriu, ajo e padukshmja që e bën njeriun, që ajo është njeriu, ajo tek ne nuk i kushtohet shumë rëndësi. Prandaj tek ne në çdo lagje ke sallone bukurie, por nuk ke bibliotekë. Në kohën time i konsiderohej rëndësi bukurisë së trurit jo të trupit. Sot nëse ti ke një trup të bukur dhe nuk ke shumë tru nuk ka problem. Dikur i kushtohej më shumë rëndësi mirëmbajtjes së trurit. Unë jam rritur pranë një lumi, nënat tona nuk thoshin si sot që të hapin telefonin, ne na jepnin lirinë të shkonim tek lumi. Unë shpesh qëndroja pranë lumit edhe në mbrëmje dhe shija pasqyrimin e yjeve dhe mendoja të futem në lumë e t’i mbledh ato yje e t’ia çoj nënës”, deklaroi Mehmeti ndërsa fliste në “Refekleksione” ku kujtoi një pjesë të fëmijërisë së tij.

Sa i përket letërsisë dhe veprave të tij, Mehmeti tha se në këto botime ai ka dashur të sjellë në vëmendje gruan shqiptare që jetonte përtej kufijve. Ai tha se nënat dhe motrat shqiptare në Maqedoni janë heroinat e vërteta të ruajtjes së shqiptarisë.

Në të vërtetë në veprat e mia gjithmonë kam patur një pamje që kurrë nuk kam mundur t’i iki, ai është ajo përmendorja e gruas shqiptare. Ajo është ajo gruaja që çdo gjë flijoi për të ruajtur dallueshmërinë tonë nga të tjerët. Bota e tyre ishte aq sa ishte avllia ku jetonin., shpesh më dukeshin si të lidhura me zinxhir dhe nuk shkonin më shumë se avllia, dora e tyre nuk mund të shkonte më shumë se ninulla që i këndonin famijës. Si i vogël kisha përshtypjen që rolet janë ndarë, që nënat të ruajnë dallueshmërinë mes të tjerëve, baballarët duhet të dalin dhe të gjejnë mënyra se si të sjellin ushqim e veshmbathje. Kur i kam vënë në peshore se kush ka më të rëndë, më dilte që gruaja vuante më shumë. Burrave ju lejohej të dilnin, të fusnin pjesë të fjalorit sllav, sepse duhet të siguronin ushqim dhe duhet të bëheshin si të tjerët. Nënat këtë nuk e lejonin. Babia më tha mësoje maqedonishte se të hap dyer t e jetës, kurse nëna thoshte mos më fol shkajisht. Nëna ime vdiq duke ditur shumë pak fjalë sllavisht. Nënat tona ishin ato heroinat që e mbrojtën shqiptarinë, mbrojtën edhe fenë, doli që nënat e shpëtuan shqiptarinë. Parë nga ky këndvështrim, kam dashur sado pak këtë meritë të tyre ta shpërfaqë edhe në vepra letrare. Nënat dhe motrat tona ishin ato që flijuan çdo gjë që ne burrat të mbetemi burra që të mbijetojë familja. Burrëria flas për një mjedis të caktuar, për kohën e caktuar, ajo burrëri ishte e varur nga gratë dhe qëndronte mbi shpinën e grave”, vijoi më tej në rrëfimin e tij Mehmeti.

Duke u ndalur sërish në të shkuarën, Mehmeti tha se pati një zhgënjim të madh nga shqiptarët që jetonin përtej kufijve, pasi ata kishin pritshmëri të tjera pas prishjes së sistemit komunist në Shqipëri.

Sipas tij shqiptarët ndër vete arritën të shembin barrierat gjeografike por jo ato mendore.

Ne kemi të kaluar të copëzuar. Ne që jetuam në atë të të kufirit kemi një të bashkuar të ndryshme. Ne atje mendonim se ju jetonit në parajsë, por nuk ishte kështu. Të shkuarën ne nuk mund ta bëjmë. Por edhe sot ne jetojmë të copëzuar. Copëzimi ne filloi të na pëlqejë. Ndoshta shkaku që nuk mundëm ti rrëzojmë kufijtë mendorë. Ne i rrëzuam kufijtë gjeografikë, por jo ato mendorë, pasi krejt ndryshe e mendojmë Shqipërinë shqiptarët e Shqipërisë, Maqedonisë dhe Kosovës”, deklaroi më tej Mehmeti.

Sa i përket situatës aktuale ku jetojnë shqiptarët dhe politika, Mehmeti tha se aktualisht burrështetasit po shfrytëzojnë varfërinë e qytetarëve.

Sot sipas Mehmetit vota e një shqiptari në Shqipëri kushton më pak se një dele.

Gjatë kohës së socializmit për ne shqiptarët përtej kufirit ishte e padukshme dhe e paprekshme,. Tani u bë e dukshme por sërish e paprekshme, sepse Shqipëria nuk ia doli të jetë mëmëdheu i shqiptarëve, në kuptimin e asaj që të jetë një çadër të mbulojë interesin mbarë shqiptar. Sot unë mendoj se dhe atë pak shtet që patëm në Shqipëri e rrënuan këta të rilindjes me në krye me piktorin. Ne menduam që Shqipëria do të jetë e mirë për shqiptarët, jo vetëm për burrështetasit e saj. Në Shqipëri nëna e lind fëmijën dhe i vë një emër që mos e identifikojnë që është shqiptar, e përgatisin që në lindje. Më habit ajo se si kryeministri juaj flet për suksese, se si Shqipëria do të bëhet si Dubai, po mund të bëhet. Ka sheikë në botën Arabe që mund ta blejnë të gjithë Shqipërinë, por a do e shisnit ju? Këta burrështetas duan edhe popuj më të varfër se ne. Këta keqpërdorin varfërinë tonë,. Një votë kushton 20 euro, një dele 200 euro, pra ne vlejmë më pak se një dele. Prandaj piktori nuk ka frikë nga vota, ai ka para sa të blejë të gjithë votat”, ky ishte dhe mesazhi i fundit i Kim Mehmetit në “Refleksione”.

/Abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!