Koreja e Veriut dhe Kina ka konfirmuar zyrtarisht vizitën e Kim Jong-un në Pekin. Ai është takuar me presidnetin Shi Xhinpin, me të cilin ka biseduar rreth samiti me liderin amerikan Donald Trump. Kim Jong-un është shprehur i gatshëm të veprojë drejt ç’armatimit bërthamor.
Pas një dite me spekulime, është konfirmuar zyrtarisht që lideri i Koresë së Veriut Kim Jong-un zhvilloi një vizitë thuajse të fshehtë në Pekin. Udhëtimi i tij, i konfirmuar nga Kina dhe Pheniani, ishte i pari jashtë vendit që prej ardhjes në pushtet në 2011. “Kim Jong-un zhvilloi bisedime të suksesshme me presidentin Xi Jinping”, shkruan agjencia kineze e lajmeve Xinhua. Kina është aleati kryesor dhe i vetëm ekonomik i Koresë së Veriut. Natyrisht Pheniani do të konsultohej me Pekinin përpara samitin të shumëpritur me Korenë e Jugut dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kim Jong-un pritet të takohet me presidentin Moon Jae-in në Prill dhe Donald Trump në Maj. Vizita e liderit të regjimit komunist në Pekin konsiderohet si një hap domethënës i Koresë së Veriut në përgatitjen për bisedimet me Uashingtonin dhe Seulin. Kim Jong-un udhëtoi me tren me bashkëshorten e tij, Ri Sol-ju dhe u largua nga Pekini pasditen e së martës, sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare.
Gjatë vizitës, lideri i regjimit totalitar siguroi homologun kinez për vullnetin e tij lidhur me çarmatosjen bërthamore, por kjo do të ndodhë me disa kushte. “Çështja e denuklarizimit të Gadishullit Korean mund të zgjidhet nëse Koreja e Jugut dhe SHBA i pëgjigjen përpjekjeve tona me pozitivitet, të krijojnë një atmosferë paqeje dhe stabiliteti ndërsa ndërmarrin masa të sinkronizuara dhe progrevise për realizimin e paqes”, raportohet t’i ketë thënë Kim Jong-un presidentit të Kinës.
Një ndër kushtet e Veriut është edhe heqja e garancisë bërthamore amerikane për Korenë e Jugut. Agjencia e lajmeve të vendit të izoluar, KCNA e cilësoi vizitën një hap i parë i rëndësishëm drejt përmirësimit të mardhënieve dypalëshe. Mbërritja dhe largimi i Kim Jong-un është bërë në fshehtësi të plotë. Zyrtarët kinezë saktësuan se vizita e tij ishte jo-zyrtare ndaj nuk ka pasur asnjë njoftim dhe flamuj të Koresë së Veriut gjatë pritjes së tij. /abcnews.al