Kim Jong Un ekzekuton 30 zyrtarë, pas përmbytjeve që shkaktuan 4 000 viktima

schedule09:47 - 4 Shtator, 2024

schedule 09:47 - 4 Shtator, 2024

Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong-Un urdhëroi ekzekutimin e 30 zyrtarëve për dështimin e tyre të pretenduar për të parandaluar përmbytjet masive dhe rrëshqitjet e tokës në verë, që shkaktuan vdekjen e rreth 4 000 personave, sipas medias koreano-jugore, shkruan sot ”The New York Post”.

Një zyrtar tha se ”rreth 30 drejtues qeveritarë në Korenë e Veriut ishin akuzuar për korrupsion dhe shpërdorim detyre, me shtetin që i dënoi ata me vdekje”, raportoi ”TV Chosun”.

“Rreth 30 kuadro në zonën e goditur nga përmbytjet u ekzekutuan në të njëjtën kohë, në fund të muajit të kaluar”, tha ky zyrtar për median.

Raportet e ekzekutimeve nuk janë verifikuar nga medie të pavarura. Agjencia Qendrore e Lajmeve të Koresë së Veriut, KCNA raportoi më parë se Kim urdhëroi autoritetet “të ndëshkojnë rreptësisht” zyrtarët pasi përmbytjet katastrofike goditën provincën Chagang në korrik, duke marrë rreth 4 000 jetë dhe duke zhvendosur më shumë se 15 000 njerëz.

Zyrtarët që u ekzekutuan nuk u identifikuan, por raporti vuri në dukje se Kang Bong-hoon, sekretar i Komitetit të Partisë të Chagangut që nga viti 2019, ishte ndër udhëheqësit e shkarkuar nga Kim, në një takim urgjent gjatë fatkeqësisë së përmbytjeve.

Pas takimit me Kim, ish-diplomati i Koresë së Veriut Lee Il-gyu i tha ”TV Chosun” se ishte e qartë se zyrtarët në provincë ishin “aq të shqetësuar sa nuk e dinë se kur do të ekzekutoheshin”.

Kim u pa muajin e kaluar duke vëzhguar zonat e dëmtuara dhe duke u takuar me banorët, pasi ai vlerësoi se do të duheshin muaj për të rindërtuar lagjet e përmbytura.Udhëheqësi i Koresë së Veriut kritikoi gjithashtu raportet nga Koreja e Jugut për numrin e të vdekurve duke hedhur poshtë pretendimet për mijëra të vrarë.

Në vitin 2019, shteti koreano-verior dyshohet se ekzekutoi Kim Hyok Chol, të dërguarin e tij bërthamor në SHBA, për dështimin për të negociuar një samit midis Kim dhe presidentit të atëhershëm të SHBA-së, Donald Trump.

”Më pas u zbulua se Chol ishte thjesht në paraburgim”, raporton CNN.

Koreja e Veriut në përgjithësi ka një shkallë të lartë të ekzekutimeve publike, sipas ”Korea Times”, me shtetin që kreu mesatarisht 10 ekzekutime publike para pandemisë COVID-19. Media vlerëson se shkalla është rritur që atëherë, me të paktën 100 ekzekutime të ndodhura vitin e kaluar.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!