Kili arriti fitoren e dytë në dy ndeshje në Kupën e Amerikës. Kampionët në fuqi mundën Ekuadorin dhe u kualifikuan për në çerekfinale.
Edhe pse me vështirësi, sërish nuk e ndali hapin.
Kili duhet llogaritur mirë nga rivalët në Kupën e Amerikës, sidomos tani që kampionët në fuqi u kualifikuan për në çerekfinale.
Fitorja 2-1 ndaj Ekuadorit bëri që skuadra e trajnerit kolumbian, Reinaldo Rueda, të ngjitej në krye të grupit C me 6 pikë të plota, pra dy pikë mbi Uruguajin.
Me lojtarë shumë të mirë në përbërje, kilenët përfituan edhe nga kthimi në formë i Aleksis Sançezit, sulmuesit që ndodhet në krizë tek Mançester Junajtid.
Ai shënoi golin e fitores në minutën e 51-të, pasi Fuensalida kaloi i pari ekipin në epërsi që në fillim, ndërsa Ener Valensia barazoi përkohësisht për ekuadorianët.
Ky ishte goli i dytë i Sançezit në po kaq takime në Kupën e Amerikës, pra një kthim në formë.
Për fat të keq, ai pësoi dëmtim në kavilje, ndonëse vazhdoi lojën deri në fund
“Aleksis Sançez mori një goditje, por mjekët më thanë se mund të jetë gati për të premten ndaj Uruguajit, – tha trajneri Rueda, – ai është shumë i lumtur dhe i motivuar kur luan për kombëtaren. Me Uruguajin, nuk do të rrezikojmë dëmtime apo pezullime, por edhe renditja në grup ka rëndësi”.
Gazetat kilene ishin krenare për kampionët e tyre.
“Las Ultimas Notisias” vlerëson lart lojën e mesfushorit Arangiz: Karlesi nuk gabon, ai siguroi kualifikimin e Kilit në Kupën e Amerikës!
“El Austral”: Kili mund 2-1 Ekuadorin dhe ngjitet në krye të grupit C, Seleksioni kombëtar siguroi kualifikimin për në çerekfinalet e Kupës së Amerikës!
Kilit tani i mjafton barazimi në sfidën e fundit, atë ndaj uruguajanëve, për të zënë edhe vendin e parë në grup./ABC News Albania 24/7