Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare Andi Hoxhaj, pedagog në King’s College, tha se rruga drejt paqes në Ukrainë është më afër se kurrë, duke theksuar se vendi pritet të mos preket territoriallisht dhe kjo përbën një zhvillim pozitiv si për Ukrainën ashtu edhe për presidentin Volodymyr Zelensky.
I ftuar në emisionin “War Report” në ABC News, Hoxhaj nënvizoi se integrimi i Ukrainës në Bashkimin Europian deri në vitin 2028 shihet si një garanci alternative sigurie, në një kohë kur disa vende të BE-së kundërshtojnë anëtarësimin e saj në NATO, ndërsa garancia paqeruajtëse pritet të mbështetet nga Europa me SHBA-në në rolin e monitoruesit.
“Thuhet që Ukraina nuk do të preket dhe kjo është diçka pozitive si për vendin ashtu edhe për Zelenskyn. Ukraina ka kërkuar gjithmonë që të ketë garanci në NATO, shikohet që Ukraina të bëhet pjesë e BE brenda vitit 2028 dhe kjo mund të jetë një garanci për të mbajtur Ukrainën.
Plani është goxha i qartë, ku thuhet se garancia paqeruajtëse do jetë nga europianët, kurse SHBA do jetë monitorues. Interesi më i madh i Rusisë është që të marrë një pjesë të atyre tokave që synon. Shumë vende të Bashkimit Europian janë shprehur kundër anëtarësimit të Ukrainës në NATO. Rusia ka objektiva të tjera, jo vetëm Ukrainën, do që të integrohet përsëri në arenën europiane.
Mendoj që rruga drejt paqes është shumë afër. Kjo është pjesë e një lojë të madhe gjeopolitike, që palët kërkojnë ta zgjidhin paqen në pak muaj”, tha Andi Hoxhaj.

