Kievi: Rusia ka ekzekutuar 93 të burgosur ukrainas të luftës

schedule12:38 - 5 Tetor, 2024

schedule 12:38 - 5 Tetor, 2024

Ukraina ka dokumentuar të dhëna që lidhen me ekzekutimin e 93 të burgosurve ukrainas të luftës, sipas një zyrtari të rendit që ka për detyrë të hetojë krimet e luftës lidhur me pushtimin rus të Ukrainës.

Yuriy Belousov, që udhëheq departamentin për hetimin e krimeve të luftës të kryera gjatë konfliktit të armatosur në kuadër të Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm, i prezantoi këto të dhëna gjatë një paraqitjeje televizive më 4 tetor.

“Tani kemi informacion për vdekjen e 93 ushtarëve tanë të cilët ishin ekzekutuar në fushëbetejë”, tha Belousov për Yedyniy Novyny, një transmetues ku bëjnë pjesë disa kanale televizive ukrainase.

Belousov tha se rreth 80 për qind e ekzekutimeve janë regjistruar gjatë këtij viti, por numri i ekzekutimeve nisi të rritej në nëntor “kur kishte ndryshim për të keq të sjelljes së ushtarëve rusë ndaj të burgosurve tanë të luftës”.

Më 1 tetor, Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm njoftoi se kishte hapur hetim për atë që e përshkroi si “ekzekutiv masiv” të të burgosurve ukrainas të luftës nga trupat ruse që nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

Sipas deklaratës së publikuar nga kjo zyrë, forcat ruse së fundi kanë vrarë 16 “të burgosur ukrainas të luftës” pranë fshatrave të Mikolajivit dhe Suki Jarit, në qarkun e Pokrovskut të rajonit të Donjeckut.

Në disa kanale në Telegram kanë qarkulluar video që dukej se shfaqnin ushtarë ukrainas, të kapur nga forcat ruse, duke dalë nga një pyll.Pasi të burgosurit u rreshtuan, forcat ruse dukej se hapën zjarr.

Këto video nuk kanë mundur të verifikohen në mënyrë të pavarur.

Sipas ligjit ndërkombëtar humanitar, ekzekutimi i ushtarëve pas dorëzimit konsiderohet krim lufte.

Në mars, Misioni i Kombeve të Bashkuara për monitorimin e të drejtave të njeriut në Ukrainë publikoi një raport, ku tha se të paktën 32 ushtarë ukrainas, të burgosur të luftës, ishin vrarë në 12 raste të ndara nga dhjetori i vitit 2023 deri në shkurt të vitit 2024./rel

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!