TIRANË- Në Zveçan raportohet se ka prezencë të shtuar të protestuesve në krahasim me një ditë më parë. Aktualisht, situata raportohet e qetë dhe në mesin e protestuesve ka një numër të madh të të punësuarve në institucionet që punojnë në sistemin e Serbisë.
Ish-kryetari i Kuvendit Komunal të Zveçanit, Sërgjan Millosavleviç, përsëriti kërkesat e protestuesve që lidhen me tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës dhe të kryetarëve shqiptarë nga komunat me shumicë serbe në veri. Misioni i NATO-s, KFOR, ka ngritur tela gjemborë përreth objektit të komunës.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti deklaroi për CNN se nuk do të tërhiqet dhe të largojë trupat e policisë nga komunat në veri të Kosovës edhe pse kjo thirrje u përsërit disa herë nga Shtete e Bashkuara të Amerikës.
“Policia duhet te jetë e pranishme në një numër të vogël në çdo komunë të Kosovës siç është në 34 komuna në vendin tonë. Por nëse ka situata trazirash dhe dhune, unë nuk mund të lejoj që të kem vetëm një numër të vogël policësh jashtë këtyr komunave. Kam nevojë të kemi një numër të konsiderueshëm policësh që të garantojnë zbatimin e ligjit. Komunat e Veriut të Kosovës duhet të jenë për të gjithë qytetarët”, u shpreh Kurti/n.m.abcnews.al