KFOR dënon sulmet ndaj gazetarëve në veri të Kosovës

schedule16:57 - 17 Qershor, 2023

schedule 16:57 - 17 Qershor, 2023

Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka dënuar fuqishëm sulmet ndaj gazetarëve në komunat në veri të Kosovës. Më 16 qershor, gazetarë të mediumeve të ndryshme, sipas Policisë së Kosovës, “janë sulmuar fizikisht, në mënyrë brutale”, teksa po raportonin nga komuna e Leposaviqit, një prej katër komunave në veri, të banuara me shumicë serbe.

“Liria e medias dhe liria e shprehjes janë vlera fundamentale që duhet të respektohen nga të gjithë. Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve të përmbahen nga dhuna e mëtejme apo nga veprimet që mund të përshkallëzojnë më shumë situatën dhe të sigurojnë që mediat të mund të bëjnë detyrën e tyre fundamentale në mënyrë të sigurt”, thuhet në reagimin e KFOR-it.

Gazetarët më 16 qershor po përcillnin vizitën e ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, te kryetari i komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi. Sipas autoriteteve në Kosovë, “individë apo grupe kriminale” hodhën drejt tyre edhe një mjet që dyshohet të ketë qenë shok-bombë.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka thënë se nga 26 maji deri më 16 qershor, në komunat në veri të Kosovës janë regjistruar 30 sulme ndaj gazetarëve, kameramanëve dhe fotoreporterëve.

Tensionet në veri të Kosovës janë rritur qysh më 26 maj, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, me asistimin e Policisë së Kosovës, kanë hyrë në ndërtesat komunale.

Tensionet kulmuan më 29 maj, kur protestuesit serbë u përleshën me pjesëtarë e KFOR-it në Zveçan. Nga përleshjet mbetën të plagosur dhjetëra persona nga të dyja palët.

Në reagimin e KFOR-it më 17 maj u tha se pas incidenteve në Zveçan misioni ka shtuar prezencën përreth ndërtesave komunale në veri për të ndihmuar në parandalimin e përleshjeve të mëtejme./ REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!