Kryefjala e ditës së sotme ishte vizita e Angela Merkelit në Tiranë. Kancelarja zhvilloi takime me kryeministrin e Shqipërisë, por edhe të vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor me fokus procesin e Berlinit, bashkëpunimin mes vendeve dhe integrimin. Këshilltarja kryeministrit Edi Rama, Odeta Barbullushi e ftuar mbrëmjen e sotme në “LOG” u shpreh se vizita ishte e suksesshme, por nënvizoi edhe mesazhet e Angela Merkel.
“Ishte një vizitë e suksesshme, lamtumirë në të njëjtën kohë, dita e fundit në rajon në pozicionin e kancelares. Kjo axhendë nënvizon një mesazh politik, dhe i pari që dha ishte që Ballkani Perëndimor do mbetet i rëndësishëm për politikën gjermane, perspektiva e integrimit mbetet në vëmendjen e Gjermanisë dhe ashtu për të vlerësuar arritjet e procesit të Berlinit, që është pjesë e angazhimit të saj.
Mesazhi i tretë që ajo ka dhënë ishte rëndësia që këto vende kanë për bashkëpunimin ekonomik me Gjermaninë. Vlerësoi reformën në drejtësi. Është shumë e rëndësishme që ta vlerësojmë procesin e Berlinit kundrejt tre qëllimeve që ka pasur; përgatitja e këtyre vendeve për integrimin në BE, e dyta ndërlidhja, forcimi mes vetë vendeve të Ballkanit, rajonit dhe pjesës tjetër të Europës dhe ngushtimi i hendekut zhvillimor dhe krijimi i një klime pozitive mes vendeve” tha ajo.
Por cfarë do të ndodhë me Procesin e Berlinit tani që Angela Merkel u largua? “Një ide është që të transferohet dhe drejtohet nga KE dhe të lidhet me ngushtë me zbatimin e paketës për projektet, por duhet kërkuar një pronësi, forcë më e madhe dhe axhendë më vitale” tha këshilltarja e kryeministrit Edi Rama për çështjet e politikës rajonale./ Abcnews.al