Opozita e Bashkuar ka paraqitur një kërkesë zyrtare për OSBE/ODIHR në mbledhjen e Këshillit Poltik, për disa çështje themelore për të cilat palët nuk bien dakord.
Sipas opozitës, deri më tani PS ka refuzuar t’i bashkohet kërkesës. Në letrën e opozitës janë paraqitur 5 çështje kryesore, të cilat kërkojnë përgjigje, ndërsa pritet të firmoset edhe nga Damian Gjiknuri.
5 pyetjet kryesore, të ngritura në kërkesën e paraqitur nga opozita:
- A përputhet me standardet ndërkombëtare mekanizmi aktual i Kodit për koalicionet dhe formula e shpërndarjes së mandateve?
- A i lejon listat e hapura mekanizmi dhe formula aktuale dhe a është në përputhje me standardet e OSBE/ODIHR.
- A mund të ndryshohen njëanshmërisht rregullat zgjedhore 6 muaj para zgjedhjeve?
- A minon barazinë në garë dhe a bie ndesh me disa standarde të OSBE/ODIHR ndryshimi i njëanshëm i rregullave shumë afër zgjedhjeve?
- Në kushtet e mosdakordësisë, cila është një zgjidhja në përputhje me standardet e OSBE/ODIHR për zgjedhje demokratike?
Në letrën drejtuar OSBE/ODIHR, ku shpjegohet edhe qendrimi i palëve, opozita thekson se koha e përgjigjes është shumë e rëndësishme.
“Do ta vlerësonim shumë përgjigjen e shpejtë ndaj çështjeve të mësipërme, pasi është shumë e rëndësishme për të adresuar mosmarrëveshjet mes palëve, me synim gjetjen e një zgjidhjeje të pranueshme për palët, që do të krijonte një klimë besimi të qytetarëve në një proces zgjedhor demokratik.”- thuhet në kërkesën e Opozitës së Bashkuar drentuar OSBE/ODIHR-it.
g.v/abcnews.al