Keshilli i Sigurimit diskuton për Kosovën

schedule16:45 - 27 Prill, 2023

schedule 16:45 - 27 Prill, 2023

Gjatë prezantimit të raportit për Kosovën në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, shefja e UNMIK-ut, Caroline Ziade, bëri thirrje për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, duke shprehur përkrahje për kornizën e re të dialogut.

Ziade tha se gjatë vitit të fundit janë evidentuar sfida të ndryshme, “por edhe tentime për t’i afruar drejt normalizimit marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë”.

“Liderët duhet të marrin hapa të përgjegjshëm për t’i zvogëluar gjasat për ngecje në cështjet që kanë degraduar besimin publik gjatë muajve të fundit”, tha ajo, duke përmendur si shembuj tërheqjen e serbëve nga institucionet e Kosovës në veri dhe bojkotimit e zgjedhjeve të së dielës, 23 prill, nga serbët.

Ajo tha se tensionet mes Kosovës dhe Serbi jo vetëm që i kishin larguar dy palët nga tentimet për normalizim të marrëdhëniet përmes dialogut, por edhe i kishin vënë “afër skajit për konfrontim fizik”.

Duke folur për zgjedhjet në veri, Ziade theksoi se ato ishin paqësore, por “në të njëjtën kohë, pyetja e përfaqësimit duhet të adresohet si pjesë e procesit politik më të gjerë”.

Tutje, Ziade shtoi se gjatë punës së saj, “sentimentet më të shpeshta me të cilat përballem janë frustrimi dhe shqetësimi për të ardhmen e pasigurt. Por, po aq e shoh edhe shpirtin dhe vullnetin për të punuar për ta krijuar një realitet më të mirë”.

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuarapo po diskuton raportin e ri gjashtëmujor të sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, për punën e Misionit të OKB-së në Kosovë (UNMIK).

Në seancën që po mbahet në Nju Jork dhe kryesohet nga Rusia, Kosova dhe Serbia përfaqësohen nga ministrat përkatës të Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla Schwartz dhe Ivica Daçiq.

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, bëri thirrje që marrëveshjet e nënshkruara më parë në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi të implementohen.

“Është e nevojshme të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe sa më shpejt që të jetë e mundur sepse ky është mekanizmi i vetëm i mundshëm për mbrojtjen e të drejtave dhe sigurinë e komunitetit serb në Kosovë”, tha Daçiq.

“Prishtina po e shmang qëllimshëm përmbushjen e këtij obligimi”.

Ai gjithashtu kërkoi implementimin e plotë të rezolutës 1244 të OKB-së.

“Ju duhet ta anuloni, ose ta respektoni. Nëse ju nuk e respektoni [Rezolutën 1244], atëherë vihet në pyetje se pse ekziston OKB-ja”, tha Daçiq.

Në raportin për periudhën nga 16 shtatori 2022 deri më 18 mars 2023, Guterres përshëndeti Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe Aneksin e zbatimit të saj, për të cilin liderët e të dyja palëve së fundi arritën marrëveshje.

Potenciali i një kornize të re dialogu

Guterres, në raport, vlerësoi se korniza e re e dialogut ka potencial për të çuar para procesin drejt arritjes së zgjidhjeve afatgjata.

Ai tha se angazhimi konstruktiv në zbatimin gjithëpërfshirës të Marrëveshjes do të jetë i nevojshëm për të ruajtur stabilitetin dhe për të parandaluar ripërtëritjen e tensioneve dhe konflikteve.

“Palët janë zotuar plotësisht t’i respektojnë të gjitha nenet e Marrëveshjes dhe t’i përmbushin të gjitha detyrimet në mënyrë të përshtatshme dhe në mirëbesim. Kjo është edhe më e rëndësishme, sepse ngjarjet gjatë periudhës që u vëzhguan, sollën tensione në një nivel krize, duke rezultuar me ngecjen më serioze që nga fillimi i procesit të dialogut [ndërmjet Kosovës dhe Serbisë] në vitin 2011”, shkroi Guterres.

Ai shtoi se “retorika e intensifikuar dhe nxitëse nga të gjitha anët, vendosja e postblloqeve, incidentet e shumta të sigurisë dhe protestat në veri të Kosovës e kanë rritur rrezikun për dhunë”.

“Incidentet e natyrës etnike, përdorimi i armëve të zjarrit dhe lëndimet – si në mesin e civilëve, ashtu edhe në mesin e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës – si dhe shënjestrimi i dukshëm i gazetarëve dhe aktorëve ndërkombëtarë të sigurisë, përbënin shqetësim të veçantë. Të gjitha palët duhet të tregohen të përmbajtura dhe të sigurojnë që të gjitha mosmarrëveshjet të zgjidhen në mënyrë paqësore nëpërmjet dialogut, jo përshkallëzimit[të dhunës]”, shkroi Guterres.

Çelësi i kthimit në institucione

Në raport, ku nuk janë përfshirë zgjedhjet lokale që u mbajtën javën e kaluar në katër komuna në veri të Kosovës, Guterres deklaroi se përparimi i mëtutjeshëm në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është “kyç për krijimin e kushteve për kthimin e përfaqësuesve serbë të Kosovës në institucionet e Kosovës në veri”.

Që nga miratimi i Rezolutës 12 44 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së më 10 qershor 1999, ky organ ka diskutuar për Kosovën katër herë në vit deri në vitin 2018.

Në vitin 2019 janë mbajtur tri seanca të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën, ndërsa nga viti 2020 mbahen nga dy seanca në vit./REL