Këshilli i Sigurimit diskuton për Kosovën

schedule16:42 - 15 Tetor, 2021

schedule 16:42 - 15 Tetor, 2021

Shefi i misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), Zahir Tanin i tha Këshillit të Sigurimit se ka pasur mungesë komunikimi nga ana e Prishtinës për aksionin në veri për të zbatuar vendimin e reciprocitetit për targa në fund të muajit shtator.

Sipas tij, komunitetit ndërkombëtar dhe KFOR-it si mekanizëm për ruajtjen e paqes, nuk iu kishte dhënë njoftim paraprak për aksionin e policisë.

“Kam ngritur zërin kundër veprimeve të njëanshme dhe që të mirren hapa të menjëhershëm në uljen e tensioneve dhe përfshirjen në dialog”, tha Tanin në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit e cila po i zhvillon punimet të premten (15 tetor) për të shqyrtuar raportin gjashtë mujor të shefit të UNMIK-ut.

Tanin foli edhe për aksionin e dy ditëve më herët për luftimin e kontrabandës për të cilin tha se ende është pikëpyetje nëse KFOR-i ishte i paralajmëruar për këtë aksion.

Aksioni, sipas tij provokoi sërish trazira në atë pjesë të Kosovës.

Në bisedat që ka pasur me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ai tha se ka theksuar rëndësinë e vazhdimit të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Është ky një takim i rregullt për Kosovën, ku paraqitet raporti i Misionit të Kombeve të Bashkuara.

Raporti përfshin periudhën 16 mars – 15 shtator, 2021.

Takimi do të zhvillohet dy ditë pas një krize të re në veri të Kosovës, ku serbët lokalë protestuan dhunshëm për shkak të një operacioni anti-kontrabandë të Policisë së Kosovës.

Në përleshjet midis policisë dhe protestuesve u lënduan 20 veta, në mesin e tyre zyrtarë policorë.

Në këtë takim po merr pjesë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe ministri i Jashtëm i Serbisë, Nikolla Selakoviq./REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!