Këshilli i BSH, opozita: Është antikushtetues. Balla: Bode është i juaji

schedule15:36 - 21 Dhjetor, 2018

schedule 15:36 - 21 Dhjetor, 2018

Partia demokratike akuzon mazhorancën se po tenton të kapë Bankën e Shqipërisë duke mos lejuar opozitën që të paraqesë kandidatët e saj. Kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla i ka kundërshtuar duke deklaruar se opozitën e përfaqëson ish-ministri i Financave në qeverinë Berisha, Ridvan Bode.

Oerd Bylykbashki: “Banka e Shqipërisë është organ kushtetues i pavarur. Në të shkuarën kanë ardhur një kandidat me 28 firma, kësaj radhe ju po thoni “ky është organ i pavarur, të gjitha kandidaturat vijnë me 28 firma dhe e vendosim ne me shumicën tonë”. Praktikisht bie pavarësia e institucionit. E gjitha është në xhepin e kryeministrit si çdo gjë tjetër. Është antikushtetuese, kthehuni tani. Merrni praktikën e mirë të këtij parlamenti në të shkuarën dhe garantoni se Banka e Shqipërisë nuk bie në thundrën e Edi Ramës”.

Taulant Balla: “Nëse ju do të kishit përzgjedhur një nga ato kandidatura që kanë aplikuar dhe kanë shfaqur interes, mund ta kishit sjellë. E drejta e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste për t’u mbështetur kandidatura është një e drejtë që na takon dhe nuk e negociojmë aspak me ju. Për sa i përket qeverisë, qeveria është tërësisht autonome në këtë proces. Të më thuash ti mua që Ridvan Bode është i imi dhe unë kam çuar bashkë me Edi Ramën, Ridvan Boden për të kapur Bankën e Shqipërisë kjo është e turpshme. Po ashtu edhe z. Suela Boba (Tavo), e cila në asnjë moment nuk mund të konsiderohet si përfaqësuese e Partisë Socialiste”.

Edmond Spaho: “Ridvan Bode nuk është përfaqësues i PD-së, por është i Edi Ramës. Dje në seancë ju ngritëm këtë çështje nga kryetari i PD-së. Që nuk pranojmë që përfaqëuesit që duhet të propozojmë ne në institucione t’i caktoni ju. Prandaj e kundërshtojmë praktikën tuaj dhe votimin që keni bërë dje e që doni të bëni sot. Trego një dokument komunikimi që ke bërë me Partinë Demokratike ose me pakicën në parlament për këtë çështje Taulant para se të thuash që i kam ndjekur të gjitha rrugët”.

Jorida Tabaku: “Zoti kryetar i Kuvendit  i ka nisur një shkresë opozitës dhe i thotë me 28 firam sillni një propozim. Pse kundërshtuat këtë vendim të parlamentit që i kërkonit opozitës që të sillte një propozim me 28 firma? Kam nxjerrë këtu të gjitha vendimet e Kuvendit për anëtarët e bordit të Shqipërisë. Në 3 Nëntor 2011, Kuvendi ka propozuar tre anëtarë. Zonjën Ermelinda Meksi me firmat tuaja, zonjën Nela Golemi me firmat e LSI-së dhe të PD-së dhe zotin Dhori Kule me firmat e Partisë Demokratike. Të tre me propozues të ndryshëm. 3 herë 28 sepse kështu thotë ligji, kështu thotë Kushtetuta. Kam nxjerrë të gjitha propozimet për të gjitha bordet dhe institucionet e pavarura kushtetuese, asnjëherë dhe në asnjë rast nuk kanë ardhur tre propozime me 28 firma të përbashkëta”./abcnews.al