Nga Erisa Zykaj
Këshilli i Bashkimit Europian mirëpret përkushtimin e vazhdueshëm të Kosovës në rrugën e saj evropiane dhe rithekson rëndësinë e zbatimit të vazhdueshëm të Marrëveshjes së stabilizim- asociimit BE-Kosovë (MSA). Këshilli mirëpret përparimin e vazhdueshëm në lidhje me forcimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës, administrimin e përgjithshëm të drejtësisë, luftën kundër korrupsionit, antiterrorizmin dhe parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm. I bëhet thirrje Kosovës që të vazhdojë të përshpejtojë luftën kundër krimit të organizuar.
Në fushën e gjyqësorit, Këshilli i bën thirrje Kosovës që të përmirësojë zbatimin e instrumentave ekzistues për të mbrojtur integritetin, pavarësinë dhe efikasitetin e sistemit gjyqësor, duke përfshirë ndryshimet e duhura legjislative, si dhe mirëpret angazhimin e qeverisë për të ndjekur rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe bashkëpunimin me BE-në. Kosova duhet të vazhdojë më tej reformën e administratës publike, duke shtuar përpjekjet për të krijuar një shërbim civil profesional, të përgjegjshëm dhe të orientuar drejt qytetarëve, në përputhje me standardet evropiane dhe ndërkombëtare.
Këshilli i BE-së bën thirrje Kosovës që të adresojë mangësitë e përsëritura të procesit zgjedhor dhe të zbatojë rekomandimet përkatëse të misioneve të vëzhgimit të zgjedhjeve të BE-së përpara zgjedhjeve të ardhshme që do të mbahen në vitin 2025. Në këtë kontekst, Këshilli mirëpret krijimin nga Kuvendi të një komisioni ad hoc shumëpartiak për të punuar në këto reforma. Këshilli inkurajon të gjitha partitë politike që të punojnë së bashku për të forcuar më tej rolin legjislativ të Kuvendit, si dhe rolin e tij mbikëqyrës, dhe për t’i dhënë përparësi legjislacionit kyç, veçanërisht për reformat e lidhura me BE-në, ku duhet kërkuar mbështetje shumëpartiake.
Këshilli mirëpret dënimin e fuqishëm nga Kosova për luftën e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës, orientimin e saj të qartë gjeostrategjik, si dhe përafrimin e saj vullnetar dhe zbatimin e vazhdueshëm të masave kufizuese të BE-së (sanksionet), veçanërisht kundër Rusisë dhe Bjellorusisë.
Këshilli vëren se ekonomia e Kosovës ka përjetuar një ringritje të fuqishme pas pandemisë, por se perspektiva e rritjes në vitin 2022 është përkeqësuar. Sfidat aktuale ekonomike globale theksojnë nevojën për të vazhduar trajtimin e problemeve strukturore në mënyrë afatgjatë, veçanërisht në lidhje me sigurinë energjetike, por gjithashtu mungesën e diversifikimit ekonomik, varësinë nga flukset e jashtme financiare dhe ekonomisë joformale të përhapur, si dhe sfidat në fushën e sundimit të ligjit, duke përfshirë korrupsionin.
Këshilli i bën thirrje Kosovës që të miratojë me shpejtësi një strategji ambicioze dhe largpamëse të energjisë dhe të rrisë pjesën e burimeve të rinovueshme në përzgjedhjen e kombinimit të burimeve të energjisë (energy mix). Nevojiten përpjekje të vazhdueshme për të garantuar sigurinë e furnizimit, për të diversifikuar burimet, për të përmirësuar funksionimin e tregut të brendshëm të energjisë dhe për të zhvilluar rrjetet e energjisë dhe efiçencën e energjisë.
Këshilli mbështet liberalizimin e vizave për Kosovën dhe njeh rëndësinë e tij për qytetarët e Kosovës. Këshilli pret me padurim negociatat e shpejta dhe të suksesshme me Parlamentin Evropian në lidhje me ndryshimet e nevojshme të Rregullores (BE) Nr. 2018/1806.
Këshilli inkurajon Kosovën që të bëjë përpjekje shtesë për të zbatuar plotësisht kornizën ligjore për të drejtat themelore, në përputhje me standardet evropiane, si dhe për të përmirësuar koordinimin dhe mbikëqyrjen. Duhet bërë më shumë veçanërisht për të siguruar mbrojtjen e plotë të trashëgimisë kulturore dhe fetare, mbrojtjen e të drejtave të personave që u përkasin komuniteteve pakicë, duke përfshirë romët dhe ashkalitë, personat e zhvendosur dhe personat LGBTI, si dhe barazinë gjinore në praktikë. Mekanizmat ekzistues të të drejtave të njeriut duhet të forcohen më tej
Për dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, Këshilli mirëpret vazhdimin e dialogut dhe përgëzon përfaqësuesin e lartë të BE-së për dialogun Beograd-Prishtinë dhe përfaqësuesin special për angazhimin lidhur me çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor. Këshilli pret që Kosova të angazhohet në dialogun e lehtësuar nga BE-ja në mirëbesim dhe në frymën e kompromisit për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjërisht të detyrueshme me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe arritjen e deritanishme të BE-së pa vonesa të mëtejshme. Kjo marrëveshje duhet të adresojë të gjitha çështjet e pazgjidhura dhe të kontribuojë në stabilitetin rajonal. Kjo është thelbësore në mënyrë që Kosova dhe Serbia të mund të avancojnë në rrugët e tyre përkatëse evropiane.
Këshilli përsërit pritshmërinë e tij të fortë që të gjitha marrëveshjet e kaluara të respektohen plotësisht dhe të zbatohen pa vonesë, dhe se palët angazhohen në mënyrë konstruktive për të zgjidhur të gjitha mosmarrëveshjet e tyre dypalëshe. Këshilli u bën thirrje të dyja palëve që të përmbahen nga veprimet e njëanshme dhe provokuese, që mund të çojnë në tensione dhe dhunë, dhe nga retorika që nuk është e favorshme për dialog. Këshilli u kujton të dyja palëve përgjegjësinë e tyre të përbashkët për të garantuar paqen dhe stabilitetin.
Këshilli rithekson rëndësinë dhe mbështetjen e tij për punën e dhomave të specializuara dhe të Prokurorisë së specializuar së Kosovës. Vazhdimi i bashkëpunimit të plotë nga Kosova për t’u mundësuar atyre të përmbushin mandatin e tyre është një provë e rëndësishme e përkushtimit të Kosovës për sundimin e ligjit dhe për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë.
Këshilli inkurajon Kosovën që të zhvillojë një strategji për drejtësinë transnacionale, duke përfshirë një qasje gjithëpërfshirëse për adresimin e të kaluarës së saj. Këshilli tërheq vëmendjen për nevojën për të përparuar më tej në dialogun e brendshëm.
Këshilli rikujton rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë të Kosovës me misionin EULEX, si dhe me aktorë të tjerë relevantë ndërkombëtarë.
Këshilli rikujton rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe inkurajon Kosovën që të angazhohet në mënyrë aktive dhe konstruktive në aktivitetet e bashkëpunimit rajonal. /abcnews.al

