Kërkojnë ndryshimin e masës së sigurisë, mbahet në Apel seanca për Metën dhe Kryemadhin

schedule09:47 - 19 Nëntor, 2024

schedule 09:47 - 19 Nëntor, 2024

Në orën 10:00 të kësaj të marte pritet të nisë seanca e radhës në Apelin e GJKKO-së për kreun e Partisë së Lirisë, Ilir Meta dhe Monika Kryemadhin, të cilët kanë ankimuar masat e sigurisë. Ish presidenti është në masën e sigurisë ‘arrest me burg’, ndërsa ish gruaja e tij Kryemadhi me ‘detyrim paraqitje’.

Meta dhe Kryemadhi akuzohen nga SPAK se gjatë ushtrimit të detyrave të tyre në të shkuarën janë përfshirë në korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie për të paktën 6 episode.

SPAK thotë se Ilir Meta në kohën që mbante postin e ministrit të Ekonomisë dhe Energjitikës ka ndërhyrë për lidhjen e kontratës mes kompanisë DIA dhe CEZ për mbledhjen e borxheve, duke përfituar vlera monetare nga administratori i kompanisë DIA Kastriot Ismailiaj edhe pse nuk përmbushte kriteret për mbledhjen e borxheve.

Sipas SPAK, çifti Meta Kryemadhi gjatë vitit 2014-të kanë ndikuar tek disa drejtues të institucioneve shtetërore si dhe drejtues të disa kompanive të telefonive celulare me qëllim futjen ne tregun e fibrave optike dhe lidhjen e marrëveshjes së interkonjeksionit midis një kompanie private dhe një kompanie celulare. Për këtë marëveshje çifti Meta-Kryemadhi kanë përfituar para në përqindje nga fitimi i kompanisë e cila i la pajisur edhe me karta krediti .

Gjithashtu, Meta akuzohet nuk ka deklaruar një shumë prej më shumë se 463 mijë dollarësh për lidhjen e një kontrate lobimi mes LSI dhe një kompanie lobuese në shtetet e Bashkuara të Amerikës./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!