“Kërkojmë rezultat ndaj Italisë”, Ajeti: T’i marrim sfidat me radhë

schedule14:16 - 11 Qershor, 2024

schedule 14:16 - 11 Qershor, 2024

Kombëtarja shqiptare mbylli me sukses fazën përgatitore në Austri dhe tani “Kuqezinjtë” janë vendosur në Kaiserau në Kamen ku do të qëndrojnë dhe përgatiten në kuadër të finaleve të Evropianit “Gjermani 2024”, më konkretisht për sfidat ndaj Italisë, më 15 qershor, Kroacisë, më 19 qershor dhe Spanjës, më 24 qershor.

Nga kampi bazë në SportCentrum Kaiserau “shtatlari” i mbrojtjes së Kombëtares kuqezi, Arlind Ajeti po zhvillon mesditën e kësaj të marte, një konferencë për shtyp, nga ku tregoi më shumë për emocionet e përshkruara, në eksperiencën e tij të dytë në një Kampionat Evropian, si dhe për “llogaritë”, që “Kuqezinjtë” do të bëjnë për të kaluar grupin.

“Është e veçantë për ne, pavarësisht se kemi ardhur për herë të dytë në Evropian, Është një emocion i papërshkrueshëm. Në më të vjetrit mundohemi sa më shumë t’i japim eksperiencë lojtarëve më të rinj, gjë të cilën e bëjmë si brenda në fushë edhe jashtë saj.

Llogaritë e kualifikimit nuk i kemi bërë ende. Ndeshjen e parë me Italinë do të kërkojmë një rezultat pozitiv dhe më tej do të mendojmë për sfidat e radhës, atë ndaj Kroacisë e më pas Spanjës”,- tha ndër të tjera qendërmbrojtësi i “Kuqezinjve”. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!