“Kërkojmë një përmbysje të madhe”, Luis Enrique: Analizuam mirë humbjen e pamerituar në Paris

schedule09:16 - 16 Prill, 2024

schedule 09:16 - 16 Prill, 2024

Mbrëmjen e kësaj të marte rikthehet magjia e UEFA Champions League, me fazën çerekfinale të këtij kompeticionit, që do të çelë siparin e xhiros së dytë, që do të vendosë edhe çiftin e parë gjysmëfinalist të këtij sezoni, me “Verdhezinjtë” e Borussia Dortmund, që do të presin në shtëpi “Los Colchoneros” e Atletico Madrid, ndërsa Barcelona përballet me “gjigantët” e PSG.

Këta të fundit u mposhtën, me rezultatin 2-3 në përballjen e parë, në “Parc des Princes”, megjithatë, tekniku, Luis Enrique duket i bindur te përmbysja në sfidën e kthimit, e planifikuar për të martën në mbrëmje, teksa gjatë konferencës për shtyp, në prag të sfidës e ka konsideruar disfatën e parë të djemve të tij, të pamerituar.

“Kemi analizuar mirë ndeshjen e parë dhe mund të them se kemi pësuar një humbje të pamerituar. Kemi pasur kohë të përmirësohemi dhe në ndeshjen e kthimit do të hyjmë në presing që nga fillimi. Të gjithë lojtarët janë gati, përfshi edhe Mbappe dhe të gjithë kanë një dëshirë të madhe për përmbysje”,- u shprehj tekniku spanjoll.

Tekniku, i cili në të shkuarën ka udhëhequr “Katalanasit” e Barcelona ka deklaruar se do të preferonte që sfida të luhej në “Camp Nou”, teksa më tej ka analizuar edhe lojën e kundërshtarëve, ku ka vënë në dukje faktin, se në ndeshjen e parë, “gardiani” gjerman i portës, Marc-Andre Ter Stegen, nisi plot 24 topa të gjatë, duke i shkaktuar goxha probleme mbrojtjes së “parisienëve”.

“Do të më pëlqente ‘Camp Nou’, edhe pse e di që është e vështirë të luash me 90 mijë tifozë kundër. Presim një Barcelona të kujdesshme, që do të luajë me topa të gjatë drejt linjës së fundit të mbrojtjes tonë, për të shfrytëzuar hapësirat. Edhe në ndeshjen e parë Ter Stegen nisi 24 topa të gjatë, shifër kjo rekord për një portier të Barcelonës”, theksoi trajneri i Paris Saint Germain. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!