Kërkohet kualifikimi historik, “Dardanët” e Ballkanit tentojnë “mrekullinë” në “Stadion Maksimir”

schedule10:36 - 14 Dhjetor, 2023

schedule 10:36 - 14 Dhjetor, 2023

Mund të quhet më plot gojë supersfida e mbrëmjes së kësaj të enjteje, ku në lojë është kualifikimi historik, për në fazën me eleminim direkt, të një kompeticioni evropian. Bëhet fjalë për Ballkanin e Ilir Dajës, me “Dardanët” e Suharekës, që do të udhëtojnë drejt Zagrebit, për t’u përballur në “Stadion Maksimir” me Dinamon vendase.

Padyshim objektivi kryesor për djemtë e Ilir Dajës është sigurimi i 3 pikëve, me fitoren, që është i vetmi opsion për kampionët në fuqi të Kosovës, për siguruar ecurinë, në fazën me eleminim direkt.

Ndeshja e luajtur në “Fadil Vokrri” mes Ballkanit dhe Dinamos së Zagrebit, përfundoi me fitoren 2-0 të kampionëve dardanë, me Kryeziun e Hamidin, që çuan respektivisht topin në rrjetë, duke siguruar deri më tani të vetmin sukses të djemve të Ilir Dajës në grupin C.

Te Ballkani e kanë të qartë se nuk kanë asgjë për të humbur dhe në kryeqytetin kroat do të tentojnë të befasojnë përsëri “Blutë” vendas, me këta të fundit, që u mjafton edhe një barazim për të vazhduar rrugëtimin evropian.

Përsa i përket mungesa, për teknikun Ilir Daja mungojnë Kryeziu, i cili është i dëmtuar edhe Hamidi, i cili është i pezulluar. Në krahun tjetër, “strategu” i “Dardanëve” deklaroi gjatë konferencës për shtypin se skuadrën e tij e pret një ndeshje e vështirë, por Ballkani do të futet në fushë për të siguruar maksimumin nga kjo përballje. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!