Lyda Harris, shtetasja amerikane -kanadeze u arrestua sot nga Interpol Tirana me qëllim ekstradimin drejt SHBA-ve, pasi ishte shpallur në kërkim nga autoritetet amerikane.
Ndaj saj ishte lëshuar urdhër-arrest ndërkombëtar nga Gjykata e Kalifornisë për veprën “komplot për kryerjen ose pjesëmarrjen në një organizatë përmes aktivitetit shantazhues”.
Informacioni i plotë-Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana, në bashkëpunim me Departamentin e Policisë Kriminale dhe me Shërbimin Diplomatik të Sigurisë /Zyra e Hetimeve Kriminale (DSS/OCI e Ambasadës Amerikane në Shqipëri) dhe me Njësinë Speciale Policore “Joint Shield”, kanë bërë lokalizimin dhe arrestimin provizor, me qëllim ekstradimin drejt SHBA-së, të shtetases L. H.
Arrestimi i saj është bërë nisur nga kërkesa e ardhur nga ana e Departamentit Amerikan të Drejtësisë, për arrestimin e përkohshëm të saj, me qëllim ekstradimin nga Shqipëria në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
L.H., ishte shpallur në kërkim nga autoritetet amerikane, pasi Gjykata e Distriktit Jugor të Kalifornisë ka lëshuar urdhër-arrestin ndërkombëtar më datë 28.07.2021, për kryerjen e veprës penale “Komplot për kryerjen ose pjesëmarrjen në një organizatë përmes aktivitetit shantazhues”, parashikuar Kodi Penal i SHBA-së.
Mbështetur në Traktatin Dypalësh të Ekstradimit ndërmjet Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, u realizua arrestimi i saj, me qëllim ekstradimin e saj nga Shqipëria në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet e Drejtësisë, është duke kryer të gjitha veprimet ligjore për ekstradimin drejt Shteteve të Bashkuara./abcnews.al/