Nga Xhensila Kodra
Kërkesa të shumta në mënyrë jo zyrtare kanë mbërritur në dyert e policisë së shtetit për të dorëzuar armët pa leje, kryesisht janë ato të periudhës së vitit 1997. Por kjo gjë nuk është e mundur për shkak se nuk ka një vendim qeverie që pranon dorëzimin e këtyre armëve.
Në bazë të Kodit Penal, cilido person që shkon për ta dorëzuar, arrestohet për armëmbajtje pa leje. Disa muaj më parë në Komisionin Parlamentar të Sigurisë, mazhoranca propozoi një amnistie për dorëzimin e armëve në mënyrë vullnetare. Por, duket se ky projektligj do të miratohet nga parlamenti i dalë nga zgjedhjet e 25 prillit.
Nga ana e sa, Policia e Shtetit ka gati strategjinë për dorëzimin e armëve, që sipas saj, pritet të ulë ndjeshëm edhe situatën kriminale në vend. Mësohet se në 10 vrasje të ndodhura, 9 janë kryer me armët e vjedhura në vitin 1997.
Për deputetin e PS-së, Xhemal Qefalinë, amnisti është e domosdoshme. “Ka pasur amnisti edhe më parë, por nuk është se është konkretizuar, nuk ka shkuar në zero numri i armëve. Nisur nga fakti që edhe kohët e fundit ka pasur ngjarje të rënda, të cilat vijnë si rezultat i përdorimit të armëve është një tjetër tregues që amnistia është e domosdoshme.
Do të jetë në interes, kur bëhet fjalë për një amnisti nuk bëhet fjalë se kërkohet një numër i thjesht votash, kërkohet numër më i madh se ç’është mazhoranca. Do të mbetet si një kërkesë që do të vij edhe legjislaturën tjetër” tha ai.
Që nga viti 97’, janë bërë 3 amnisti për dorëzimin vullnetar të armëve të zjarrit. Për herë të fundit në 2017, ku u mblodhën 1.604 armë zjarri dhe municione të ndryshme luftarake. d.b/Abcnews.al