Kërkesa për arrestimin e Tahirit, Rama: Uroj të mos zhgënjehem, prokuroria nuk solli prova

schedule09:35 - 23 Tetor, 2017

schedule 09:35 - 23 Tetor, 2017

Socialistët do ta mbrojnë Saimir Tahirin nga prangat por vendosën ta largojnë nga grupi parlamentar dhe forumet e tjera të partisë.

Në mbledhjen e grupit parlamentar ku vetë Tahiri nuk mori pjesë, Kryeministri Rama i quajti akuzat e Prokurorisë ndaj ish-ministrit të tij të Brendshëm si një farsë të inskenuar.

Rama pretendoi se prokurorët e krimeve të rënda nuk sollën prova shtesë as në mbledhjen me dyer të mbyllura, arsye për të cilën socialistët vendosën të refuzojnë autorizimin për arrestimin e Tahirit.

Nga ana tjetër, Kryeministri theksoi se për të mos penguar drejtësinë, grupi parlamentar socialist do të votojë pro masave të tjera si kontrolli personal dhe i banesës, bllokimi i pashaportës së deputetit dhe garancia financiare.

Rama pranoi se gjatë katër viteve të mandatit të parë qeverisës Saimir Tahiri ka qenë njeriu më afër tij. Mbrojtjen që i ka dhënë nuk ia mohoi, ndërsa i rikujtoi Prokurorisë se barrën e provës e ka kush akuzon dhe jo i akuzuari.
Socialistëve u kërkoi që mbrojtjen e Tahirit t’ia lënë avokatit të tij ish-ministrit, ndërsa PS tha se do të vigjilojë mbi respektimin e standardeve në procesin gjyqësor. Pavarësisht kësaj, Rama nuk hezitoi ta krahasonte ish-superministrin e tij me vetë Fatos Nanon, duke i dhuruar kështu një kartë të fortë për të ardhmen e tij politike.

Gjatë fjalës së tij të gjatë, Kryeministri nuk i shmangi sulmet ndaj punës së Prokurorisë, duke hedhur aludime në formën e pyetjeve retorike.
Pasi rikujtoi disa prej çështjeve më të bujshme të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Rama e cilësoi atë një emër të madh me një bilanc memec.

https://youtu.be/8BvIhu6-NWM

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!