Edinson Cavani mund të largohet nga PSG pas 6 vitesh. Sulmuesit i përfundon kontrata në verë dhe deri tani nuk ka asnjë tentativë për rinovim. Diego Simeone e dëshiron në La Liga dhe është gati t’i besojë rolin e sulmuesit kryesor tek Atletico Madrid.
Rreth kësaj çështje ka folur edhe Thomas Tuchel. Trajneri i PSG-së shpreson që uruguaiani dhe drejtuesit e PSG-së të arrijnë një akord dhe goleadori i njohur të vazhdojë karrierën në kryeqytetin francez. Mesazhi për drejtuesit është i qartë dhe Tuchel flet troç në konferencën për shtyp përpara ndeshjes me Nice.
“Është ende herët për të folur për rinovimin e Cavanit, por jam i bindur se do të gjendet një zgjidhje pozitive. Unë mbështetem tek ai 100%. Cavani është një lojtar i rëndësishëm për ekipin tonë, jo vetëm në fushë, por edhe në dhomat e zhveshjes“, përfundon trajneri gjerman i ekipit francez. /abcnews.al