Gazetari Ylli Rakipi, drejtues i programit televiziv “Të paekspozuarit” ka kallëzuar në Prokurorinë e Tiranës të jetë kërcënuar me jetë në mënyrë të tërthortë dhe të drejtpërdrejtë. Kërcënimet ndaj gazetarit u dënuan nga AMA, Presidenti i Republikës dhe Partia Demokratike.
Ylli Rakipi, drejtuesi i programit televiziv “Të paekspozuarit”, ku u denoncua skandali i kompanisë “DH Albania” është kërcënuar me jetë. Ai i ka kallëzuar kërcënimet në Prokurorinë e Tiranës, ku ka pohuar se fillimisht është kërcënuar indirekt përmes postës elektronike dhe më tej edhe direkt.
Përmes një deklarate Autoriteti i Mediave Audiovizive dënoi kërcënimet në adresë të gazetarit Rakipi. AMA shprehu solidarizim dhe i kërkoi autoriteteve të garantojnë një klimë të sigurtë dhe normale për redaksitë dhe gazetarët në ushtrimin e detyrës dhe misionit të tyre për të informuar publikun.
Pas kallëzimit të kërcënimee në emër të tij, Ylli Rakipi u prit të martën në një takim nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta. “Presidenti Meta apelon ndaj institucioneve ligjzbatuese të hetojnë me përgjegjësi maksimale këtë rast me qëllim ndëshkimin e merituar të autorëve”, njoftoi Presidenca pas takimit.
Kërcënimet ndaj Rakipit u dënuan edhe nga ana e Partisë Demokratike, sipas të cilës, ky veprim ishte frymësuar nga kryeministri Rama. “Pavarësisht, se kush është personi që ka bërë direkt kërcënimin, autori i vërtetë është Edi Rama, frymëzuesi, ortaku dhe mbrojtësi kryesor i krimit në vend”, thuhej në deklaratën e PD. /abcnews.al